Administratori i Konfindustrias Gjergj Buxhuku foli në “MCN Economy” mbi reformën në sektorin e ujit. Ai e konsideroi sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve si më dramatikun, tregues të korrupsionit masiv dhe shpërdorimit të financave të shqiptarëve. Buxhuku flet për një korrupsion të tipit “state capture” duke theksuar se sot vetëm 25 qendra urbane kanë 24 orë ujë.
Menaxhimi i sektorit të Ujësjellës-Kanalizimeve është nga më dramatikët dhe tregues i korrupsionit masiv dhe shpërdorimit të financave të shqiptarëve. Sot nuk kemi asnjë bilanc të qartë se si qindra milionë euro janë hedhur për investime, dhe përfundimi është dramatik. Fakt është që vetëm 25 qendra urbane kanë ujë 24 orë. Nga këto Korça dhe Pogradeci janë qytete të mëdha, të tjerat janë fshatrat. Vetë këto investime kur janë bërë kanë pasur problematika, të fryra në buxhetim, të tenderuara keq, të zbatuara keq. Kemi një korrupsion të tipit ‘state capture’ të përmasave gjigante. Mund të jenë hedhur edhe 1 miliardë euro në 30 vite. E dyta ka të bëjë me mënyrën se si janë menaxhuar nga pushtetet vendore. Janë kthyer në bastione të politizuara, kanë kosto të tejfryra. E treta ka të bëjë me mënyrën si menaxhohet sistemi në rang kombëtar. Këto kompani të Ujësjellës-Kanalizimeve janë të menaxhuara nga pushteti vendor. Ndërkohë me kohë ka pasur shqetësime që sidomos në qytetet kryesore, aty ku burimet ujore u takojnë disa bashkive, skema duhet të ishte e ndryshme nga ajo e ndjekur me ligj. Mënyra se si kanë menduar të veprojnë pa bërë analizën, kjo është për t’u diskutuar si do jenë rezultatet”.
Buxhuku u shpreh se gjatë zbatimit të projekteve në Shqipëri është shkëputur shpesh hallka duke bërë të humbasin gjurmët e shpërdorimit.
Nëse ka një sektor ku duket rënia e shtetit është në sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve. Kompanitë që merrnin tenderin nga ministria, zbatonin projektet me shumë dyshime të mëdha, të stërfryra në buxhet në kosto, merreshin në shqyrtim nga pushteti vendor. Shkëputej hallka dhe humbnin gjurmët e shpërdorimit. Prandaj mungojnë evidencat dhe bilanci se sa lekë janë hedhur, sa janë kostot. Çfarë kërkonte projekti, çfarë është zbatuar, çfarë i është dhënë qytetarit. Është një kaos masiv për të mbuluar një korrupsion qindra miliardë euro. Shqipëria ka vetëm 25 qendra me ujë. Shqipëria vendi i dytë më i pasur me burime ujore, pas Norvegjisë. Ai që bën investimin, ministria do bëjë edhe menaxhimin fundor. Nuk do ketë ndërprerje të hallkës. Qytetarët japin votën, të mbajnë pasojat. Nëse do të kryesh një punë e para duhet të duash ta bësh, të dish, dhe të mundësh. Unë kam frikë se nuk duan ta bëjnë, e lenë të degradojë dhe nxirren përfitime kolosale nga degradimi. Ndërkohë që shteti nuk e menaxhon dot s’i e kontrollon. Privati nëse s’ka monitorim në terren, mund të bëjë çfarë të dojë”.



