
Duke diskutuar mbi tregun e verës në Shqipëri, enologu Ernest Melani, renditi në "MCN Economy" disa nga problematikat dhe tregoi si po zhvillohet sektori vitet e fundit.
Melani tha se situata nuk është aspak e mirë, pasi kostot janë rritur dhe barra mbi prodhuesit e verës.
"Situata nuk është aspak e mirë, kostot janë rritur. Do bien mbi prodhuesit. Nuk mund ta konkurrojë tregun e jashtëm. Kosot e prodhimit në Shqipëri janë më të larta dhe do vijnë dhe do rriten edhe më shumë. Prodhuesit vendas duhet të bëjnë më shumë, duhet të jenë më shumë prezent te konsumatori, si ai final si te restorantet, duhet të bëjnë marketing".
Melani vuri në dukje rëndësinë e miratimit të një ligji, ku të përfshihet emërtimi i origjinës së verës, dhe vendosjen e kodit të gjurmueshmërisë.
"Ligji duhet miratuar dhe të bëhet nga ekspertët e fushës. Nga emërtimi i origjinës, ende nuk kemi një ligj për emërtimet e origjinës. Bota e ka. Në zona ta caktuara varietete të caktuara, përshtaten mirë me zonën. Nëse do ta quash verë të kontrolluar ka kritere dhe mbi të gjitha në etiketë të jetë barkodi. Nëse nuk ka kodin e gjurmueshmërisë mund të kem marrë një verë të falsifikuar. Standardin e kemi dhe s’e kemi. Jo të gjithë e kanë. Këto që punojnë në të zezë i prishin punë pjesës tjetër, që paguan taksa. E dyta ato prodhohen në mënyrë artizanale, nuk ka as kontroll".
Lidhur me standardet e verës, enologu tha:
"Që të kesh verë me standarde të kontrulluara, janë tre faktorë, territori, nëse s’ke lëndën e parë rrushin nuk mund të pretendosh verë cilësore, e dyta është personeli, puna në grup mes enologëve dhe pjesës menaxhuese të kantinës. Duhet të ketë orientim për zonat e prodhimit. Nuk ka një analizë ADN-je që ky variretet i përket zonës, apo është i joni. Turistët që vijnë këtu duan produkte lokale".
Melani tha se me shitjet abuzohet sepse produkti nuk shoqërohet me certifikatë analizë. Ai tha se është abuzimi i madh që të dërgohet verë me bidonë në restorante, ndërsa shtoi se duhet të veprojë shteti lidhur me kantinat e palicensuara.



