Në fjalën e mbajtur në konferencën e përbashkët për mediat krah kryeministrit Rama, Komisioneri për Zgjerimin në BE Olivér Várhelyi zbuloi që ideja e Planit të Rritjes ekonomike është konceptuar në Tiranë. Ai theksoi se do të akordohen 6 miliardë euro për të ndihmuar rajonin, që në 10 vite do të duhet të dyfishojë ekonominë. Po ashtu vuri në dukje Várhelyi përmes një iniciative të tillë vendet e Ballkanit Perëndimor do bëhen gati më shpejt për integrim në BE.
Ideja e planit të rritjes ka qenë i konceptuar në Tiranë. Në diskutimet e mëparshme që kemi pasur me kryeministrin dhe udhëheqësit e tjerë të rajonit. Nuk është vetëm ide e BE që ka vendosur që kjo gjë të realizohet, por edhe ideja e gjithë rajonit. Po punojmë për të miratuar legjislacionin e duhur, por vijojmë edhe diskutimet se ç’duhet bërë. Dita e sotme është inkurajim i madh për të gjithë ne për të ecur përpara në mënyrë të përshpejtuar.
Shumica e reformave kanë koston e tyre financiare, por jemi të gatshëm të zbusim koston ndaj udhëheqësit e KE kanë vendosur, 6 mld euro duhet të ndihmojnë rajonin. Kjo është sasia e fondeve që i jepen vendeve anëtare. Deri në 2027 rajoni do marrë të njëjtin intensitet ndihme. Pas 2027 do ishte e vështirë që rajoni të thoshte nuk jemi gati akoma. Në 10 vite rajoni duhet të dyfishojë ekonominë”.
Kryeministri Edi Rama theksoi se Plani i ri i Rritjes Ekonomike është një platformë kyçe që përshpjeton integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE.
Rama tha që me planin e ri të rritjes vendet e rajonit do kenë kushte dhe procese të njëjta me vendet e BE. Po ashtu ai shtoi se do ketë më shumë financim për projekte dhe për buxhetet tona.
Për herë të parë të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor biem dakord që BE s’po bën vetëm punën e zakonshme, por po shkon një hap më tej për t’u afruar me ne, për të na mbështetur në rritjen ekonomike dhe një plan të ri të rritjes, që është një nismë e konceptuar jashtë kornize. Ky është rezultat i dialogut, i nxitjes nga ana jonë për t’u dëgjuar dhe për t’u kuptuar. Falë këtij shkëmbimi të ndërsjellë pikëpamjesh kemi arritur këtë objektiv shumë të rëndësishëm për të futur në procesin tradicional të integrimit diçka të re, që është mjaft konkrete, dhe që mund të na çojë në një nivel tjetër shumë shpejt. Plani i ri i rritjes është një platformë kyçe për të përshpejtuar hyrjen tonë në BE, është një instrument që do ta bëjë këtë proces të prekshëm për njerëzit. Solla shembullin e transaksioneve financiare. Ne kemi shumë njerëz që punojnë jashtë, që vazhdojnë të ndihmojnë familjet e tyre. Për çdo para që ata dërgojnë kostoja e transaksionit është 6 herë më e lartë, krahasuar me koston mes shteteve të BE, plani i ri i rritjes do na ndihmojë ta çojmë këtë kosto në të njëjtin nivel me të vendeve anëtare. Do kursejmë vetëm me këtë gjysmë miliardi euro nga xhepat e qytetarëve tanë. Kjo është vetëm një prej gjërave që janë pjesë e planit të ri të rritjes, që na jep mundësinë të kemi kushte dhe procese krejt të njëjta me ato të vendeve anëtare. Ana tjetër është më shumë financim për projekte dhe për buxhetet tona. Të gjitha gjepurat që keni dëgjuar për Ballkanin e Hapur, janë tashmë të ekspozuara si gjepura. Me planin e ri të rritjes të 6-të vendet kanë rënë dakord që kjo është diçka që duhet ta bëjmë, nuk ka rëndësi çfarë problemesh politike kemi me njëri-tjetrin.



