
Aktivistët “anti-lundrim të anijeve në Venecia”, pretendojnë se u “mashtruan” nga qeveria italiane, ndërsa dolën në rrugë të protestonin kundër anijeve të mëdha që u ankoruan në portin e qytetit historik të shtunën.
Banorët u befasuan kur një anije e madhe lundroi në qytet për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, pavarësisht se qeveria e kryeministrit Mario Draghi tha se anijet do të ndaloheshin në qendrat historike.
Anija 92.000 tonëshe, “MSC Orchestra”, mbajti në bord 650 pasagjerë dhe u nis për në Bari.
"Qeveria italiane ka qenë e shkëlqyer në mashtrimin jo vetëm të qytetarëve të Venecias, por gazetave dhe opinionit publik në të gjithë botën," tha Tommaso Cacciari, udhëheqësi i grupit aktivist “No Grandi Navi (Pa Anije të Mëdha)”.
Një kundër protestë u mbajt nga “Si Grandi Navi”, një lëvizje që mbështet mijëra njerëz në zonë, jetesa e të cilëve varet nga industria e lundrimit dhe të cilët kanë qenë pa punë që nga goditja e pandemisë në pranverën e vitit të kaluar.
Qeveria njoftoi në fund të marsit se anijet e lundrimit do të ishin të ndaluara të lundrojnë pranë sheshit të Shën Markut dhe të ankorohen në qendrën historike.
Plani ishte që anijet të devijoheshin në portin industrial të Marghera, ndërsa ishin bërë plane për ndërtimin e një terminali lundrimi jashtë lagunës.
Dekreti u miratua nga dhoma e ulët e parlamentit muajin e kaluar, me Dario Franceschini, ministri i Kulturës, duke përsëritur se anijet "aq të larta sa ndërtesat e apartamenteve" ishin ndaluar të mbërrinin në qendër të Venecias.
Por realisht, për të bërë të mundur shkuarjen e anijeve të lundrimit në portin Marghera, së pari duhet të jetë infrastruktura. Ndërkohë e vetmja mënyrë që anijet të hyjnë në Venecia është përmes kanalit Giudecca, ku në qershor të vitit 2019, një anije me 13 kuverta u përplas me një anije turistike, duke plagosur 5 persona.
"Qeveria e dinte se ishte e pamundur, pasi kanali për të mbërritur në Marghera është tepër i ngushtë dhe jo aq i thellë.”, tha Cacciari.
"Kështu që do të duhet të pastronin kanalin në mënyrë që të ndodhë ajo, e cila do të ishte edhe më shkatërruese për ekuilibrin e lagunës."
Cacciari shtoi: “Qëllimi i kësaj proteste është të bëjë qeverinë të kuptojë dhe të shpjegojë pse anijet e mëdha janë përsëri këtu. Është e turpshme.”

Turistët kanë filluar të mbushin sërish kalimet e ngushta të Venecias që prej lehtësimit të masave anti-Covid në mes të majit. Para pandemisë, qyteti priste rreth 28 milion vizitorë në vit.
Anijet e lundrimit kanë qenë gjithmonë një mollë grindjeje në qytet, me ata që ishin kundër tyre duke argumentuar se ato kanë dëmtuar lagunën dhe kanë gërryer themelet e ndërtesave në vendin e trashëgimisë botërore të Unesco .
Por industria e udhëtimit dhe e lundrimit kanë kontribuar gjithashtu në ekonominë lokale - rreth 5,000 njerëz janë të punësuar në terminalin e lundrimit të Venecias.
"Arsyeja pse ne po dërgojmë anije në Venecia këtë vit, i cili është një vit tjetër i rrënuar nga Covid-19, është sepse ne na është kërkuar shumë herë nga komuniteti lokal që të kthehemi," tha Francesco Galietti, drejtori i linjës së “Shoqatës Ndërkombëtare Cruise (CLIA)”.
Ai tha se disa porte të tjera ish-industriale po konsideroheshin si doke të përkohshme, së bashku me Marghera. Por ai shtoi: "Ato duhet të rivendosen për përdorim të pasagjerëve ... që do të kërkojë rreth gjashtë muaj."
Burimi: The Guardian Përshtati: MCNtv.al



