“Shape” u kodua një operacion i policisë së Tiranës gjatë të cilit u sekuestrua 1 kg e 54 gramë lëndë narkotike kanabis në trajtë xhelatine, me vlerë rreth 10 000 euro, duke vënë në pranga një person.
Efektivët e komisariatit të policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një person që posedonte lëndë narkotike, kanë organizuar punën për kapjen e tij.
Si rezultat i veprimeve profesionale, u kap në rrugën “5 Maji” dhe u vu në pranga D. C., 23 vjeç, banues në Dibër.
Gjatë kontrollit fizik ndaj të riut dhe kontrollit në banesën e tij, uniformat blu kanë gjetur 1 kilogramë e 54 gramë lëndë narkotike kanabis në trajtë xhelatine, me vlerë rreth 10 000 euro.
Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike është trafikuar nga Kanadaja.
Aktualisht vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.



