Bashkia e Tiranës, përmes dy institucioneve në varësi të saj, konkretisht Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrim-Gjelbërimit ka vendosur të shpenzojë rreth 5 miliardë lekë për blerjen e pemëve.
Tenderi i parë u zhvillua nga APR me objekt “Blerje pemë shumëvjeçare”, me fond limit rreth 2 miliardë lekë .
Ndërkohë emisioni “Xhadat” kërkoj me e-mail çmimet me pakicë për të gjitha llojet e pemëve të porositura, në dy subjekte të ndryshme, si palë e interesuar për blerjen e tyre. Nga përllogaritjet rezulton se oferta e parë, bazuar në të njëjtat specifikime, sa i takon llojit të pemëve dhe sasisë është 742 milion lekë më pak se fondi limit. Ndërsa diferenca mes fondit limit dhe ofertës së dytë ishte rreth 228 milion lekë më pak .
Theksojmë se këto janë çmimet me pakicë. Ndërkohë me shumicë, sipas logjikës ekonomike por dhe vetë garës që duhet të sjellin tenderat, çmimet, duhet të jenë më të ulta.
Por për këtë tender gjatë rrugës ndryshuan edhe kriteret për përzgjedhjen e fituesit. Nëse në fillim Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit vendosi kundrejt operatorëve ofertues kriterin e disponimit të fidanishtes me sipërfaqe jo më të vogël se 30 hektarë, më vonë e ndryshoi atë, duke e bërë fidanishte me siperfaqe jo më të vogël se 15 hektarë.
Gjithashtu uli numrin e punonjësve dhe afatit të punësimit të tyre pranë firmave pjesëmarrëse në tendera, nga 6 në 3 muaj.
Në datën 15 nëntor ishte Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit, që shpalli tenderin me objekt “Blerje pemë dekorative për Pyllin Orbital dhe zona të ndryshme të Tiranës”, me fond limit 3 miliard lekë.
Përmes tij ajo kërkon të blejë 24.623 pemë dekorative për pyllin orbital dhe për zona të ndryshme të Tiranes. Krahas kësaj, autoriteti kontraktor ka kërkuar edhe kryerjen e disa punimeve mbështetëse ndërtimi për sistemim dhe vendosjen e 1058 pemëve dekorative.
Por ky tender sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik është pezulluar, për shkak të ankesës së subjektit AlbGarden pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Ky i fundit kërkoi modifikimin e dokumenteve të procedurës së prokurimit. Në ankesë thuhet se një pjesë e kritereve të vendosura në tender është e paligjshme, nuk nxit, por zhduk garën. Shumica e mjeteve dhe makinerive të kërkuara nuk kanë lidhje me natyrën dhe objektin e prokurimit: “Blerje pemë dekorative”.
Gjithashtu në kriteret e tenderit Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit ka vendosur dhe kërkesa jo në përputhje me ligjin, për të cilat komisioni ka kërkuar heqjen e tyre.
Në vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik është vendosur pranimi pjesërisht i kërkesës të subjektit ankimues, duke i lënë detyrë Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrim-Gjelbërimit të kryej modifikimet përkatëse në dokumentet e tenderit sipas konstatimeve të KPK.
Shpesh vendosja e kritereve diskriminuese dhe përjashtuese në tendera, paracakton fituesin, me çmim shumë herë më të lartë se çdo të siguronte gara.
Ndërkohë që nga ana e institucionit të Bashkisë Tiranë, janë shpenzuar miliarda lekë për blerjen e pemëve, kujdesi ndaj tyre në terren mungon.
Nga vëzhgimi që kreu emisioni “Xhadat” në zonën e Unazës së Madhe, pranë liqenit artificial të Tiranës, konkretisht në segmentin nga mbikalimi i Saukut deri te Kopshti Zoologjik vihet re mungesa e një pjese të konsiderueshme të bimësisë së mbjellë (oleandër) te trafikndarëset.
Gjithashtu disa nga selvitë e mbjella po aty, janë tharë.
Lidhur me këtë problem “Xhadat” u drejtua pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Punëtorëve të Qytetit, nga ku Mirel Brrari, përgjegjësi i kositjes deklaroi se dy ditë para samitit ata kishin bërë pastrimin e rrugës dhe barishteve, por nuk kishin informacion se çfarë mund të kishte ndodhur që bimët ishin rralluar.
Ndërsa Florjan Tereziu, Drejtori i Gjelbërimit Dekorativ të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit sqaroi se bimësia është rralluar për shkak të zjarrit që ka rënë para disa kohësh.
“Në verë ka rënë një zjarr dhe është djegur një pjesë aty edhe janë zëvendësuar… dhe do vazhdojnë të zëvendësohen në mënyrë sistematike të gjithë. Qoftë dhe selvitë, qoftë edhe oleandrat.”
Teksa shpenzimet për blerjen e pemëve në Tiranë kanë ardhur në rritje, drejtori zbulon padashur se sistemi i ujitjes mungon.
“Sistem ujitje nuk ka aty”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin për Tiranën e Gjelbër të periudhës “Janar-Shtator 2022” ka dalë në konkluzionin se Bashkia Tiranë lidhur me gjelbërimin e qytetit, duhet të synojë në drejtim të rritjes dhe forcimit të masave për shtimin e hapësirave të gjelbra, të reja, në territorin që kjo bashki administron. Projekti i Pyllit Orbital për mbjelljen e pemëve, për shkak të pamundësive financiare për mbështetje me buxhet, si dhe problematikave që lidhen me mungesën e hapësirave të nevojshme për mbjellje dhe çështjeve të pronësisë, rezulton me një nivel të ulët realizimi.”



