
Kuvendi i Maqedonisë u ka hequr imunitetin gjashtë deputetëve të VMRO-DPMNE-së, lidhur me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvend. Deputetët në fjalë janë në mesin e 36 personave të cilët Prokuroria i akuzon për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, lidhur me ngjarjet e 27 prillit.
Ndërsa 51 deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk ishin të pranishëm në seancën e sotme, pasi për heqjen e imunitetit nevojitet shumicë e thjeshtë. Kuvendi votoi në mënyrë individuale për secilin nga deputetët.
Deputetët për të cilët është parashtruar masa paraburgim janë Krsto Mukoski, Ljuben Arnaudov, Johan Tarçullovski, Sasho Vasilevski, Ljupço Dimovski dhe Zhaklina Peshevska. Seancën e Kuvendit për heqjen e imunitetit, kryeparlamentari Talat Xhaferi e caktoi pasi dje Komisioni për Çështje të Rregulloreve, Mandatit dhe Imuniteti propozoi t’u heq imunitetin gjashtë deputëve.
Mbrëmjen e 27 prillit, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të Parlamentit, protestuesit e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” që ishin tubuar para ndërtesës së Kuvendit u futën me dhunë brenda institucionit. Si pasojë e dhunës së protestuesve, mbetën të plagosur rreth 100 persona, duke përfshirë deputetë, punonjës të policisë dhe përfaqësues të medias.



