Eksperti i sigurisë Fation Softa tha në MCN Live që projektligji për Policinë e Shtetit është i pakonsultuar. Softa thekson që projektligji ka anë pozitive, por edhe momente ku cenohet punonjësi në lidhje me gradat. Softa thekson se është avancim fakti që do ketë tre kandidatë me platforma gjatë procesit të zgjedhjes së drejtorit të Policisë së Shtetit. Megjithatë, sipas tij drejtori i përgjithshëm duhet të zgjidhet nga Parlamenti, dhe jo të emërohet nga kryeministri. Softa tha që drejtori i përgjithshëm i Policisë duhet të ketë mandat 7-vjeçar dhe mos ndikohet nga politika.
Sigurisht që është një ligj shumë i rëndësishëm, ky pr.ligj duhet të diskutohet dhe të merret një mendim më i gjerë i grupeve të interesit, përfshirë sindikatën e policisë dhe ish-drejtuesve të policisë. Të organizojmë një tavolinë të rrumbullakët ku të ftohen ekspertët, që do t’i vlejë jo vetëm strukturës policore, por publikut. Duhet që kjo konsultë të shtyhet përtej datës 2 prill, sepse koha është e shkurtër. Është i pakonsultuar. Dje e kam dëgjuar këtë gjë përmes mediave që kanë shpallur një konsultë. Thirrja publike është bërë vetëm dje dhe është lënë afati deri në datën 2. Ne kemi të drejtë të bëjmë një tavolinë me ekspertët më të mirë. Kam pasur një thirrje telefonike nga kryetari i sindikatës së Policisë së Shtetit, dhe rakorduam mundësinë e një tavolinë të përbashkët. Ka anë pozitive dhe anë që duhet t’i diskutojmë në lidhje me këtë pr.ligj. Duhen parë momente ku cenon punonjësin e policisë bazë në lidhje me gradat, dhe nëse ka pjesë të ligjit që janë anti-kushtetutese”.
Ka një avancim në mënyrën e zgjedhjes së drejtorit të Policisë, pasi do ketë tre kandidatë që do dalin me platforma, dhe do jenë përballë një komisioni, ku mund të jetë edhe një platformë publike. Por nëse duhet vërtetë të besojmë te kjo gjë, duhet të ndryshojë koncepti, s’duhet të emërohet nga kryeministri i vendit, por duhet të marrë votat nga Parlamenti. Drejtori i përgjithshëm duhet të barazohet në status me Avokatin e Popullit, me Prokurorin e përgjithshëm dhe komisionerin. Ky ndryshim duhet të ndodhë që të kemi një drejtor autoritar dhe profesional, që të jetë mbi politikën, dhe që të mos ndikohet nga politika. Duhet të ndërtojmë një ligj që duhet t’i rezistojë kohës. Mandati i tij duhet të jetë 7-vjeçar dhe jo 5-vjeçar”.
Softa e konsideroi të padrejtë parashikimin ligjor që drejtori pas mbarimit të mandatit nuk duhet të kthehet më në strukturat e policisë.
Së pari propozimi apo mendimi që kam dhënë në lidhje me emërimin e drejtorit të Policisë që të varet nga Parlamenti, pasi do t’i jepte autoritet. Të mos shkojë në interpelancë para ministrit, por para Parlamentit. Është pozitive që futet për herë të parë fjala policimi vullnetar. Për herë të parë do kemi mundësinë që punonjës të tjerë jo efektivë, persona me certifikatë sigurie, mund të ndihmojnë në rendin dhe sigurinë. Te trajtimi për përfitimin e gradave kemi cenuar nivelin e punonjësit bazë. Rregullorja e ka më të qartë si fitohen gradat për nivelin bazë të punonjësve. Ka një ndryshim sa i përket drejtorit. Në projektligjin e vjetër thuhej që drejtori duhet të ketë vetëm nënshtetësinë shqiptare. Në projektligj thuhet mjafton të ketë nënshtetësinë shqiptare. Edhe kjo që drejtori i Policisë nuk kthehet më në strukturat e policisë, nuk është e drejtë. Por do ketë trajtim të veçantë. Ai mund të jetë vetëm këshilltar, nuk mund të jetë më në strukturë".



