
Kreu i grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka mbajtur një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, pas degjenerimit në dhunë të situatës mes deputetëve të PD dhe PS.
Ai u shpreh se mazhoranca ka marrë vendim për të asgjësuar opozitën, ndërsa shtoi se nuk ka ndodhur kurrë përjashtimi i 32 deputetëve të opozitës në mbi 30 vite demokraci.
Ndër të tjera, ai tha se deputetët e opozitës ishin rrethuar nga Garda dhe kjo solli provokimin e situatës dhe nxitjen e tensioneve.
Deputetët e opozitës sot u rrethuan nga garda e republikës. Ishte mbyllur çdo derë komunikimi për deputetët e opozitës. Sjellja e gardës provokoi situatën, ndërsa ju e dini prej javësh mazhoranca e ka futur Kuvendin në një ngërç duke mos mundësuar vijimin normal të seancës së parlamentit.
Kanë marrë vendime për asgjësimin e opozitës. Nuk ka ndodhur të rrëzohen kaq komisione hetimore pa dhënë një shpjegim. Nuk ka ndodhur të përjashtohen deputetët e opozitës se nuk pranojnë poshtërimin në sallën e Kuvendit.
Ndërsa Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi e quajti të papranueshme dhunën e deputetit të Rithemelimit Nallbati ndaj deputetit socialist Sina.
Në një prononcim për median jashtë kuvendit Çuçi lajmëroi se do të merren masa me qëllim që të mos përsëriten më skena të tilla.
Skena e sotme në seancën plenare ishte e papranueshme. Opozita ishin përgatitur për këtë skenar. Është i qartë skenari i atyre për të prishur me çdo formë seancat plenare por ju garantoj se kjo gjë nuk do të ndodhë më.



