
Nga Ura Vajgurore, aty ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie, Edi Rama foli sërish për përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild”. Nga Ura Vajgujore, Rama tha se ai dhe mazhoranca ia kanë lënë këtë çështje në dorë drejtësisë dhe nuk bëjnë gjyqe popullore. Ai u shpreh se njeriu që po i “dirigjon” është Lulzim Basha. Sipas tij ndaj Bashës ka një hetim në SHBA për 1 milion dollarë që nuk u dihet burimi.
“Lidhur me ato përgjimet e neveritshme, sepse nga njëra anë askush nuk mund të çohet dhe të thotë se ne kemi hapur gojën, lere te kemi ngritur dorën, për të penguar drejtësinë të bëjë drejtësi me këdo. Askush nuk na ka parë të marrë në mbrojtje këdo qoftë, por ia kemi lënë drejtësisë të vendosë, ndërkohë që në akseptin moral ata që na akuzojnë dhe helmojnë çdo ditë gjakun e këtij mileti, janë ata të cilët, drejtorin e përgjithshëm të tatimeve e kishin të dënuar me arrest shtëpie, dhe e çonin përditë dhe e ulnin si të pafajshëm, dhe drejtonte tatimet me pranga në duar nga shtëpia. Ne gjithnjë e kemi bërë të qartë ndarjen, drejtësia të bëjë punën në vet, e ndaj do ta çojmë deri në fund atë reformë në drejtësi që ata nuk e duan. Ai që i udhëheq këto “gjyqe publike” është një i akuzuar kur ishte ministër, sot është nën hetim jo vetëm në vendin tonë por në SHBA për 1 milion dollarë që s’dihet nga erdhën, dhe del e kërkon revolucion real.. Luli, Luli, se nuk flas për atë tjetrin, plakun e marrë që Lulin e ka një nga tespiet e veta, por edhe tespiet e plakut Sali do të shpërbehen më 30 qershor”, tha Rama.
Rama komentoi edhe daljen për media të kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që në gjykimin e tij ishte i vonuar. Kryeministri vazhdon ti qëndrojë idesë se dosja po përdoret nga prokurorë dhe politikanë për shantazh politik ndaj mazhorancës së majtë dhe qeverisë së tij.
“ Kryeprokurorja e Krimeve të Rënda, me shumë vonesë për fat të keq, por ka shpjeguar arsyen pse këto zbulime të mëdha që nuk janë asgjë tjetër përveçse një abuzim i madh me ligjin dhe nxjerrje e një sekreti hetimor për tu përdorur për politikë dhe për tu përdorur kundër Shqipërisë, ndërkohë që duhet të kishte përfunduar hetimi me kohë. Dëgjojeni dhe lexoni kush janë personat që i kanë mbajtur në sirtar të gjithë këto zbulime të mëdha, dhe padiskutim njëri nga ata, dy nga ata apo të gjithë bashkë i kanë çuar te partia për ti përdorur për politikë për të shantazhuar këtë qeveri dhe këtë shumicë. Ata i bashkojnë shumë gjëra por i bashkon dhe diçka shumë e madhe, lufta kundër reformës në drejtësi. Prokurorë që tmerrohen nga vettingu dhe politikanë që tmerrohen nga gjyqet që i presin kur ata të cilët do të kenë kaluar vettingun do ti thërrasin përpara drejtësisë sepse nuk harrohen të gjitha ato që kanë ndodhur. Drejtësia vonon por nuk harron”, u shpreh Rama.



