
Kryeministri Edi Rama sot ndodhet në Bruksel ku do të zhvillojë një takim me presidentin e Këshillit të Bashkimit Europian, Charles Michel. Bëhet me dije se takimi do të zhvillohet në orën 12.30 dhe se do të diskutohet për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë dhe mundësitë pë të vendosur dialog mes ty vendeve. Çështja kryesore e diskutimit do të jetë normalizimi i marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit dhe nevoja për të ulur në një tryezë Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtin. Numri një i Qeverisë u shpreh para tre ditësh se i ka dërguar letër, presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit të KiE-së, Charles Michel. Rama i cili kërkoi lirimin e tre policëve të Kosovës që mbahen të burgosur në Serbi, bëri me dije gjithashtu se i kishte dërguar një letër Macron dhe Scholz ku u kërkonte që të ndërhynin për të bërë të mundur zbatimin e planit franko-gjerman për Kosovën. Sipas tij, bëhet fjalë për një draft të punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe evropian prej kohësh, “gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë”. Por sot, Kosova dhe Serbia do të jenë kryefjalë edhe për shkak të takimit të ministrave të Jashtëm që do të mbahet në Luksemburg. Përfaqësuesi i lartë i BE, Josep Borrel do të raportojë për situatën ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe rrugën që do të ndiqet në ditët në vijim. Më 27 qershor, Charles Michel do të zhvillojë video-konferencë me krerët e shteteve të familjes evropiane, ku do të trajtohen tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës. Në tekstin e draftit të konkluzioneve i cili është përgatitur për t’u miratuar në takimin e liderëve të BE-së më 29-30 qershor, Këshilli Evropian do të kërkojë dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve që ishte arritur në Bruksel në fund të muajit shkurt si dhe aneksit të zbatimit të saj, të arritur në Ohër në muajin mars.



