
Nobeli i Paqes për vitin 2018 do të ndahet mes Denis Mukwege dhe Nadia Murad për përpjekjet e tyre për t'i dhënë fund përdorimit të dhunës seksuale si një armë lufte gjatë konflikteve të armatosura. Mukëenge dhe Murad janë vlerësuar për kontributin e rëndësishëm në përqendrimin e vëmendjes te ky fenomen dhe luftimin e tij njësoj si krimet e tjera të luftës.
“Mukwege ia ka kushtuar jetën mbrojtjes së viktimave të kësaj kategorie, ndërsa Murad është dëshmitarja që ka treguar për abuzimet e kryera ndaj saj dhe të tjerëve. Secili prej tyre, në mënyrën e tij, ka ndihmuar për të sjellë në vëmendje dhunën seksuale gjatë konflikteve të armatosura, në mënyrë që autorët e këtij krimi të mund të nxirren para drejtësisë për veprimet e tyre”, thuhet në faqen e Çmimeve Nobel.
Berit Reiss-Andersen, kryetarja e komitetit të Nobelit, tha se dy fituesit e çmimit kanë luajtur rol vendimtar në luftën kundër këtyre krimeve.
"Ata kanë trajtuar mijëra viktima të sulmeve seksuale në një luftë civile të gjatë që u ka kushtuar jetën mijëra kongolezëve", shtoi ajo.
Rreth 331 individë dhe organizata ishin në listë këtë vit për çmimin prestigjioz të paqes.
Rekordi i të regjistruarve në këtë kategori është vendosur në vitin 2016, me 376 të tillë.



