
Shërbimi rus i sigurisë, FSB, ka ndërprerë hetimet penale për rebelim të armatosur kundër milicëve të grupit Wagner, duke vënë në dukje se “pjesëmarrësit e tij kanë ndaluar veprimet që synojnë drejtpërdrejt kryerjen e kryengritjes”. Një lajm i tillë raportohet nga agjencitë ruse të lajmeve. Hetimi për rastin e rebelimit të armatosur të Wagner, i iniciuar nga FSB ruse më 23 qershor, u ndërpre të martën për shkak të ndërprerjes së veprimeve kriminale. “Në rrjedhën e hetimit të çështjes penale të nisur nga departamenti hetimor i FSB-së së Federatës Ruse më 23 qershor në bazë të nenit 279 të Kodit Penal të Federatës Ruse për faktin e një rebelimi të armatosur, u konstatua se në më 24 qershor pjesëmarrësit e tij ndaluan veprimet që synonin drejtpërdrejt kryerjen e një krimi. Duke marrë parasysh këtë dhe rrethana të tjera të rëndësishme për hetimin më 27 qershor, autoriteti hetues nxori një vendim për mbylljen e çështjes penale”, tha FSB. Pas marshimit në Moskë, kreu i Wagner, Yevgeny Prigozhin u akuzua për “tradhti” nga Presidenti rus Vladimir Putin, i cili në dritën e tërheqjes së mëvonshme premtoi se asnjë akuzë nuk do të zyrtarizohej kundër mercenarëve të Wagner.



