Eksperti i financave Eduard Gjokutaj tha në “MCN Economy” se remitancat mund të shihen nga shteti edhe si kërcënim ndaj ekonomisë formale. Gjokutaj vë në dukje se paratë e ardhura nga jashtë kanë krijuar një kulturë varësie te shumë familje, sidomos në zonat rurale.
“Mendoj që rritja nuk është diçka e jashtëzakonshme. Vjen si rezultat i pengesës së remitancave në vitet e kaluara, për arsye të pandemisë, dhe arsye të caktuara. Lidhet më së shumti me konsumin dhe më pak me elementë si investimi apo kreditimi i familjeve. Është edhe ndikimi i asaj që është thënë për amnistinë fiskale dhe kriptomonedhave.
Qëllimi i remitancave natyrshëm që ka qenë për të rritur mirëqenien e familjeve. Ka përmirësuar kushtet e jetesës, fakt që s’duhet mohuar në dekadën e parë dhe gjysmën e dekadës së dytë. Një pjesë e mirë e remitancave kanë lehtësuar edhe pjesën shëndetësore, pjesën e edukimit, duke mbuluar ato kosto që s’mbulohen nga puna dhe të ardhura të tjera. Ka ndihmuar familjet, për një kreditim që s’e kanë, ka zgjidhur edhe probleme të vogla të kreditimit, për ato familje që janë të lidhura me remitancat", tha eksperti.
"Nuk konsiderohet më një zgjidhje për ekonominë. Nuk tregon që ekonomia ka evoluar. Remitancat mbulojnë deficitet. Familje të tëra në fshat, kanë një pritshmëri, një kulturë varësie, nga lekët që priten nga të afërm, apo lekë nga zona gri, etj. Nuk nxit pjesën e ekonomisë që do prodhonte një vlerë të shtuar. Një pjesë e tyre nuk shkon te konsumi bazë, ose te mallrat e veçanta, te makinat, banesat, që mund të sjellin zhvillim të konsumit, por e rrisin çmimit në mënyrë artificiale. Kanë dhënë pjesën e vet të ndikimit edhe të zhvlerësimi i monedhës. Remitancat nuk konsumohen në të njëjtën kohë dhe nuk mund të bien në mbingopje të ofertës. Roli i remitancave duhet të shikohet si kërcënim ndaj ekonomisë formale. Remitancat përmbushin atë pjesë të të ardhurave, që familjet nuk e përmbushin dot”, shtoi ai.



