
Pas atentatit të ndodhur pranë Aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos një agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), në qendër të vëmendjes është fakti se efektivi i plagosur ishte shok me viktimën.
Kjo ngre pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si rekrutohen punonjësit në strukturat e rendit dhe të vetë AMP-së, që ka për detyrë të mbikëqyrë sjelljen e efektivëve të policisë.
Sadetin Fishta, kryetar i Shoqatës së Punonjësve të Policisë, në një deklaratë për MCN TV tha se problemet nisin që në procesin e rekrutimit të efektivëve të rinj, që shpesh nuk kalojnë një filtrazh të plotë.
Ky nuk është rasti i parë kur punonjës policie rezultojnë të implikuar me grupe kriminale.
Kemi pasur raste të përsëritura, të dala në hetime e procese gjyqësore.
Kjo tregon se duhet forcuar kontrolli që në fazën e përzgjedhjes dhe rekrutimit të personave që hyjnë në strukturat e rendit.
Nëse grupet kriminale arrijnë të komprometojnë punonjës të policisë, kjo ndodh për shkak të mungesës së verifikimeve të thelluara mbi të kaluarën dhe kontaktet e kandidatëve.
Nëse shumë autorë krimesh arrijnë të largohen pa u kapur, kjo do të thotë se kanë informatorë edhe brenda strukturave të policisë.
Duhet përqendrim serioz në punën e brendshme për të ndaluar infiltrimin e krimit.
Nga ana tjetër, gazetari Xhevair Zhabina deklaroi se AMP duhej të kishte hetuar më herët mënyrën se si u punësua efektivi Mustafa Sheqeri, i plagosur në atentatin ndaj Danit.
Masa që u mor sot nga drejtori i AMP-së duhej të ishte marrë shumë më herët, përpara se ky person të ishte punësuar në këtë agjenci.
AMP ka në dorë informacione tepër të ndjeshme, pasi heton vetë Policinë e Shtetit.
Nëse punonjës të saj kanë kontakte me botën e krimit, kjo është shumë shqetësuese.
Nëse do të zhvillohej një veting i vërtetë për punonjësit e AMP-së dhe të policisë, shumë prej tyre nuk do të mund të vijonin më detyrën.
Nëse AMP apo Policia do t’i nënshtroheshin një procesi të vetingut real, besoj se një pjesë e madhe e strukturave do të mbeteshin bosh.
Kjo tregon sa e thellë është lidhja midis krimit dhe institucioneve të rendit.
Policia e Shtetit vazhdon të ketë probleme serioze me ndikimin e krimit të organizuar, gjë që kërkon reformim të thellë institucional dhe transparencë në çdo hallkë të sistemit të sigurisë.



