
Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, thotë se aleanca me SHBA mbetet më e rëndësishmja për Shqipërinë. Në studion e lajmeve të MCN TV, Milo iu rikthye historisë së aleancave të Shqipërisë përgjatë shekullit të fundit. Ai theksoi se që nga aleanca me Italinë në vitet ’30 e deri te ajo me Kinën, Shqipëria është parë si pala e dobët nga e cila kanë përfituar. Në krahasim me aleancat e mëparshme, Milo theksoi se aleanca me SHBA dhe Europën ka në themel një traktat transparent, në të cilin përfshihen vlerat demokratike perëndimore.
Diferenca është e qartë. Vendet me të cilat Shqipëria ka qenë në aleancë e kanë shfrytëzuar marrëdhënien me të. Marrim Italinë e viteve ‘30, çoi në pushtimin e Shqipërisë nga Italia. Aleanca me Jugosllavinë, një aleancë politike ideologjike dhe ushtarake. Nga ajo aleancë i erdhën një numër rreziqesh serioze.
Kemi më vonë aleancën me Bashkimin Sovjetik. Konflikti që desh shpërtheu në bazën e Pashalimanit mund të shkonte deri në përplasje ushtarake.
Kina ka qenë larg dhe nuk ka pasur nevoja ushtarake në atë kohë, por i duhej Shqipëria si një pikë mbështetjeje në Europë. Kina ishte e izoluar.
Aleanca me SHBA dhe Europën ka në themel një traktat transparent. Në të përfshihen vlerat demokratike perëndimore. Pra ka një ndryshim të madh.
Për historianin Paskal Milo, sovraniteti i Shqipërisë është më i garantuar se kurrë në historinë e saj.
Në lidhje me mesazhin e Biden, vetë Biden para dy javësh e kishte paralajmëruar që do të ketë festime me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Sot ishte pika kulmore. Mesazhi i tij kishte mjaft elementë që nuk ishin spontanë, por të menduar dhe në linjën politike që po ndjekin SHBA në marrëdhënie me Shqipërinë.
Shqipëria është pika fokale e SHBA në rajonin tonë. Do të ketë mbështetje edhe më të fuqishme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar etj. Një element tjetër i rëndësishëm i politikës është bashkëpunimi si anëtarë të NATO. Të gjitha të marra së bashku dhe të nënvizuara nga presidenti Biden tregojnë se Shqipëria nuk është aleat sa për të thënë, por aleat strategjik. Do të gjenden mundësi dhe fusha të tjera bashkëpunimi.
Sovraniteti i Shqipërisë është garantuar më tepë se kurrë në historinë e saj. Është vend anëtar i NATO-s dhe e ka të garantuar. E mbrojnë të gjitha vendet e tjera anëtare të NATO-s, më parë nuk e ka pasur një garanci të tillë.
Në një zonë të trazuar si Ballkani, sipas Milos, një vendi të vogël si Shqipëria i duhen aleancat me fuqi të mëdha.
Ballkani është një zonë që nuk ka qëndrueshmëri. Kemi përpjekjet e Rusisë, një shtet si Seria që ka aleancë me të. Pavarësisht konjukturave rajonale, nuk duhet ta tërheqim vëmendjen sepse dihet se Serbia është aleat i Rusisë.
Për vendet e vogla si Shqipëria, do të jenë më të mbrojtura kur në sistemin ndërkombëtar ku bëjnë pjesë të kenë mbështetjen e 2 apo 3 fuqive të mëdha. Vendet e vogla bien viktimë e orekseve të mëdha. Shqipëria do të ketë nevojë për mbështetje gjithmonë. Përsa kohë ka luftëra dhe kërcënime, kriza që çojnë në luftime, Shqipëria ka nevojë të ketë një mbështetje. E tillë është aleanca me SHBA dhe kjo u nënvizua edhe me ceremoninë që u zhvillua paradite.
Mendoj që Shqipëria si vend i vogël dhe lojtar që rëndësinë nuk e ka për nga përmasat në shkallë ndërkombëtare. Vlerën e ka në bashkëpunimin me lojtarë të mëdhenj. Shqipëria duhet të jetë e fokusuar në aleancën që ka. Perspektivën e ka që të bëhet vend anëtar i BE. Ajo duhet t’u atashohet politikave europiane. BE është aleat i SHBA dhe për rrjedhojë, qoftë në prag të hyrjes, Shqipëria nuk ka pse të mos u japë prioritet me SHBA dhe BE.



