Gjykata në Francë ka shtyrë vendimin për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Në përfundim të seancës, në Colmar të Francës Haradinaj duke iu përgjigjur interesit të mediave tha se vendimi do të jepet më 2 mars.
"Gjykata nuk ka marrë vendim sot, ka thënë që vendimin ta japë më dy mars. Ne shpresojmë që të marrë vendimin më herët, sepse 2 marsi është shumë larg. Kërkesa për ekstradim e Serbisë është abusive dhe e pabazuar. Nuk është dicka e re që Vucic ka qenë ndihmës i Sheshelit dhe kanë udhëhequr forca paramilatare. Presidenti i sotëm Nikolic ka udhëhequr forca miliatare, kurse Daçiç ka qenë asistues i Miloshevicit, pra atyre nuk i interson ligji, por ata abuzojnë. Por përgjigjen që kanë marrë në 1998-1999 atë do kenë edhe prej meje", deklaroi kreu i AAK Haradinaj.
Gjatë seancës, trupi gjykues e ka pyetur liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nëse do të pranonte të ekstradohej në Serbi në bazë të kërkesës së këtij shteti, por kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka refuzuar një gjë të tillë.
Ish kryeministri i Kosovës, Haradinaj ka thënë se rasti ndaj tij është plotësisht politik dhe ai duhet të lirohet.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj është ndaluar para një muaji në aeroportin e Bazelit, në zonën franceze të Mulhouse, dhe më pas u dërgua në Colmar ku qëndroi për 1 javë në paraburgim.
Para dy javësh, kjo gjykatë në Colmar të Francës, ka vendosur që ta lirojë atë me kusht në pritje të kërkesës së palës serbe për ekstradimin e tij.



