Për ndër të ditës së Flamurit, sot në Tiranë u mbajt edhe ceremonia e ngritjes së flamurit kombëtar në sheshin Skënderbej.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se kur shqiptarët bëhen bashkë ne mund të ngrihemi dhe të përballojmë çdo sfidë.
"Një dyluftim gjithmonë përballë fatit. Teksa flamuri kuqezi po ngrihej lartë, për një çast po mendoja për ata burra që shpallën pavarësinë 108 vite më parë. Sot është e rëndësishme të kuptojmë historinë që kemi ardhur. Çdo tiranas dhe çdo i ardhur duhet të jetë i nderuar që është në kryeqytet. Sot përulemi përpara patriotëve të Tiranës. 108 vite më parë për ne shqiptarët nisi një epokë të re. Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, ne mund të ngrihemi. Kjo është forca jonë. Pandemia dhe tërmeti ka sjellë shumë sfida dhe vështirësi", tha Veliaj.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi homazhe në varrezat e Deshmorëve të Kombit, në përkujtimin e ditës së Pavarësisë dhe Çlirimit të Atdheut. Basha u shpreh se vendi këtë 28 Nëntor po përballet me sfidën e tejkalimit të pandemisë që ka marrë qindra jetë njerëzish, ndërsa tha se 28 Nëntori i ardhshëm do ta gjejë Shqipërinë më të mirë dhe më afër Europës.
“Sot, në Ditën e Pavarësisë dhe Festës së Flamurit, dua t’ju uroj të gjithë qytetarëve dhe bashkëkombasve të mi kudo ku janë, gëzuar festën më madhështore të kombit tonë. Sot kujtojmë me nderim dhe përkulemi me respekt para veprës dhe sakrificës të gjithë bijve dhe bijave të kombit tonë që sakrifikuan gjithçka në altarin e lirisë dhe të pavarësisë kombëtare. Sot është një ditë feste dhe gëzimi, por ajo na gjen ndryshe nga çdo vit tjetër. Shqipëria dhe shqiptarët po përballen me sfidën e tejkalimit të pandemisë, e cila na ka marrë qindra bashkëqytetarë duke lënduar shumë familje, ndërkohë që mijëra të tjerë po vuajnë pasojat shëndetësore dhe shumë më shumë pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë. Në këto kushte, kjo ditë dhe kjo festë është një kujtesë e fuqisë dhe forcës së kombit tonë. Unë jam i bindur në fuqinë dhe forcën e qytetarëve shqiptarë, në fuqinë dhe forcën tuaj për të qenë së bashku dhe për të tejkaluar së bashku pasojat e kësaj krize dhe pandemie dhe për të dalë më të fortë, më të bashkuar e më të vendosur. Jam i bindur se 28 nëntori tjetër do të na gjejë me një Shqipëri më të shëndetshme, më të mirë dhe më afër Europës. Ju uroj nga zemra gëzuar ditën e Pavarësisë! Gëzuar Ditën e Flamurit”.

Kryetari Basha zhvilloi homazhe dhe vendosi kurorë me lule në permendoren e Ismail Qemalit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, duke nderuar themeluesit e shtetit shqiptar në 28 Nëntor 1912.



