Një 28-vjeçar nga Prrenjasi, i cili është paraqitur në Spitalin e Librazhdit për të marrë ndihmë mjekësore, me simptoma të gripit, ka ndërruar jetë pak orë pas largimit nga mjediset spitalore.
Burime pranë spitalit të Librazhdit bënë të ditur për TvT se pacienti 28-vjeçar ka mbërritur dje në spital me temperaturë të lartë dhe është trajtuar për këtë të fundit.
Pasi temperatura i ka rënë, ai ka lënë spitalin dhe ka shkuar në shtëpi, ku gjatë orëve të mbrëmjes ka pasur sërish një rritje të temperaturës dhe ka ndërruar jetë rreth orës 03:00 të mëngjesit të ditës së sotme.
Dyshimet janë për komplikacione të shkaktuara nga gripi. Megjithatë, familjarët nuk kanë pranuar që trupi i 28-vjeçarit t’i nënshtrohet autopsisë.
Mësohet se 28-vjeçari B.K. ishte emigrant në Greqi dhe ishte kthyer në vendlindje tre javë më parë.
Po ashtu, mësohet se për të njëjtat simptoma është trajtuar në spital edhe i vëllai.
Fakti që i ndjeri ishte emigrant e bën më të vështirë çdo hipotezë për shkakun e vdekjes së tij, për shkak të mungesës së rekordeve të tij mjekësore.
Megjithatë, hipoteza më e besueshme mbetet ajo e një komplikacioni pë shkak të gripit.



