Pala greke ka ulur traun në të gjitha pikat kufitare për 48 orë, duke filluar nga mëngjesi i sotëm deri në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
Korrespondentja Sara Kovaçi raportoi për MCN Live nga pika kufitare e Kapshticës se të gjitha pikat kufitare me Greqinë, nuk ofrojnë asnjë shërbim për shtetasit shqiptar por edhe të huajt.
Shkak është bërë protesta e sindikatave greke të cilat kërkojnë kushte të mira pune. Nuk lejohen mjetet e rënda, autobusë, taksi, apo mjete të tjera.
Lejohet vetëm kalimi i shtetasve në këmbë, por pa bagazhe. Shtetasit nuk janë lejuar të udhëtojnë me mjete private edhe me raste fatkeqësie.
Ka pasur shqetësime dhe qytetarët që punojnë në shtetin fqinj, janë përpjekur të kalojnë të gjithë ditën e djeshme, pasi kanë mësuar se sot dhe nesër do bllokohej kufiri dhe për rrjedhojë një ditë më parë ka pasur radhë të gjata.
Sot nuk ka asnjë lloj fluksi, ka vetëm disa taksi janë pozicionuar pranë doganës, por nuk lejohen të kalojnë.
Ndërkohë lejohen këmbësorët vetëm me çantën e dorës, por jo me çantë shpine, për të kaluar në pikën kufitare.
Dje u tha se mund të ketë një fashë orare, për të kaluar persona për arsye shëndetësore apo fatkeqësi, pritej të ndodhte në orën 10.00, por ende nuk ka ndodhur.
Policia Greke njoftoi një ditë më parë Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, se nga data 02.04.2024, prej orës 05:30, deri më datë 04.04.2024, në orën 05:30, pika doganore greke në Kapshticë, do të jetë e mbyllur për shkak të protestës nga sindikatat greke.



