Gazetari Besmir Pula sjell detaje të grabitjes së bankave në Tiranë me karta të klonuara, duke thënë se janë shpallur në kërkim tre shtetas rumunë të cilët vepronin në bashkëpunim me njeri tjetrin për të kryer vjedhjet.
Në një lidhje për MCN Live, gazetari raportoi se dy raste kanë mbetur në tentativë dhe 4 vjedhje të kësaj natyre janë kryer ku janë vjedhur 5 milionë lekë të reja me karta të ndryshme.
Bankomatet kanë tentuar që t’i thyejnë me forcë për të marrë edhe paratë. Të shpallurit në kërkim janë Florind Opinioniu, Marian Minai dhe Adrian Simoiun, të tre shtetas rumunë.
Fakti që kanë arritur të bëjnë këto manovra në vendin tonë tregon se kanë njohuri kibernetike, por edhe aftësi për të vjedhur.
Dyshohet se kanë hyrë në vendin tonë në dhjetor 2023, ku në datën 9 dhjetor është kryer tentativa e parë. Më tej në 6 janar 2024 është kryer rasti tjetër.
Policia vendosi në dispozicion një shumë prej 5 mijë eurosh për këdo që do jepte informacion.
Mbi një muaj kanë qëndruar në Shqipëri, kanë bërë vjedhje të shumta dhe disa vjedhje të tjera të mbetura në tentativë.
Nga veprimet hetimore intensive të kryera ka rezultuar, se këta shtetas, më datë 09.12.2023 dhe 06.01.2024, kanë tentuar të vjedhin dhe gjithashtu kanë vjedhur, me anë të ndërhyrjes në sistemet kompjuterike, me karta të klonuara, karta të vjedhura në shtete të huaja dhe duke demtuar disa ATM në Tiranë, shuma parash, në disa ATM po në kryeqytet.
Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve kriminale dhe identifikimin e autorëve të tjerë të mundshëm të implikuar në këtë veprimtari, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.



