Avokati Kujtim Cakrani tha në MCN Live se nuk ekzistojnë pronat publike, pasi të gjitha pronat që kryeministri Rama i quan publike dhe kërkon t’ua japë oligarkëve, janë prona për të cilat ka një kërkesë për kthimin te ish-pronarët. Cakrani tha se edhe stadiumi e ka pronarin në SHBA, i cili ka dorëzuar dosjen për kthimin e pronës që në vitin 1994. Avokati e konsideroi si “kriminale” qasjen e të gjitha qeverive me pronat.

“E njoh mirë problemin e pronave, se jam avokat dhe vij nga familje pronarësh. Po ju them në këto 34 vite qasja me pronat ka qenë tejet kriminale nga të gjitha qeveritë. Nuk di të ketë prona publike. Nuk ekzistojnë pronat publike. Kërkesat që sot janë në kthimin e pronave janë ato tokat publike që thotë ky do bëj kulle. 33 mijë dosje. Nuk ekziston nocioni publik, janë prona të sekuestruara në 45’. Pronat e mia në Karavasta, Rama ua shpërndan oligarkëve. Ai stadiumi ka pronar. Pronari është në SHBA. E ka dosjen që 94’ te Kthimi i Pronave. Gjithë bota ka të pasur, oligarkë, por s’bëhen me VKM duke u dhënë tokën. Ti ke Presidentin e Republikës që ka firmosur për pronat e ushtrisë”.



