Gjatë komunikimit të javës nëpërmjet “Facebook”-ut ditën e djeshme, kryeministri Rama paralajmëroi rritje rrogash, një efekt që do të ndihet më shumë te rrogat minimale dhe mesatare. Rama tha se rritja e rrogave dhe pensioneve, që hyn në fuqi nga 1 marsi i vitit që vjen, do largojë Shqipërinë nga vendi i fundit në rajon për nivelin e rrogës mesatare dhe maksimale.
“Pas kësaj rritjeje, rroga minimale në vendin tonë do të jetë më e lartë se në Kosovë, Serbi dhe në Malin e Zi dhe pak më e ulët se në Maqedoni sepse ne do ta rrisim atë me rreth 35 përqind”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se mundësia për rritjen e rrogave është krijuar nga reformat e zbatuara me sukses.
“Reformat tona kanë nisur të japin rezultatet e para, por na duhet çdo ditë punë më e madhe dhe këmbëngulje më e fortë, e sigurisht kohë e domosdoshme dhe durim shëmbullor për t’i çuar përpara këto reforma dhe për të marrë në këtë rrugë të re rezultate ende shumë më të prekshme vit pas viti, hap pas hapi në çdo sektor”, thotë ai.



