Analisti Andi Bushati tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se Edi Rama ka një urrejtje ndaj zgjedhjeve dhe garës demokratike, prandaj nuk shkon në zgjedhje të parakohshme, ndonëse në këtë moment të opozitës mund t’i fitojë ato. Bushati vë në dukje se ndonëse mendon që Berisha duhet të kishte dalë nga politika që në 97-ën, nuk mund t’ia kërkojë të largohet, sepse është faktori i vetëm që mbledh më shumë vota opozitare. Sipas Bushatit, Ilir Meta mund të ketë kuptuar që s’është me leverdi të bësh opozitë në këtë vend, prandaj ka bërë një tërheqje të përkohshme.
Nuk kemi ndonjë gjë të madhe. Nuk dimë më shumë çfarë do bëjë kjo qeveri. E them këtë pa patur ndonjë paragjykim për mbledhjet e qeverisë. Jam kundër lojërave që kush merr më shumë pushtet brenda shtratit të Ramës. I gjithë pushteti është i Ramës, dhe varet çfarë doze i jep ai. Edi Rama mund të quhej novator në vitin 2000, me stafin e bashkisë, por sot po të shohësh administratën, pikat kyçe i kanë po të njëjtit njerëz që ka pasur Rama kryetar bashkie. A mund të quhesh risi për Shqipërinë kur i ofron Shqipërisë të njëjtat, ide, njerëz, dhe mentalitet, që i ke ofruar në vitet 2000?! Këtë ta gjykojë gjithësecili vet. Ka shumë njerëz që thonë që ky është momenti i volitshëm që Rama të bënte zgjedhje të parakohshme, dhe askush s’e dyshonte që do i fitonte. I vetmi njeri që mund të ishte kundër zgjedhjeve të parakohshme, do ishte Rama, sepse Rama ka një alergji për zgjedhjet. Në ADN-në e Ramës është një urrejtje ndaj zgjedhjeve dhe garës demokratike. Unë jam nga ata që mendoj që Rama fiton me mënyrat e tij, metodat e tij, edhe në 20025-ën. Pse do bënte zgjedhje të parakohshme kur e di që fiton në 2025-ën. Rama po të kishte mundësi që edhe zgjedhjet e rregullta të 2025-ës do t’i shtynte në 2028-n. Në PS që nga viti 2005 ka pasur vetëm një palë zgjedhje për kryetar. Rama i urren zgjedhjet. Një njeri që asfikson zgjedhjet në partitë e tij, nuk mund t’u ofrojë zgjedhje të gjithë shqiptarëve.
Jam nga ata njerëz që mendojnë që Berisha nga skena politike e Shqipërisë duhet të kishte dalë që në 97-ën. Por këtu mendimi personal ka fare pak rëndësi. Berisha është faktori i vetëm që mbledh më shumë vota opozitare, dhe t’i kërkosh Berishës të largohet, pavarësisht çfarë mendon dikush tjetër, duket absurditet. Për mua Berisha duhet të kishte ikur që në 97-ën. Por derisa shumica e opozitarëve vijojnë të besojnë te Berisha, ne dukemi qesharakë, donkishotë, absurdë, po t’i kërkojmë Berishës të largohet. Ka shumë veta që thonë që Metën e kanë frikësuar, me të gjitha mjetet e pushtetit, SPAK, e të tjera. Ndoshta Meta po vuan ngërçin e dikujt që e ka parë që është e pamundur të bësh opozitë ndaj Ramës. Me konfiguracionin e ri, me humbjen e zgjedhjeve të 14 majit, me futjen në lojë të drejtësisë dhe SPAK-ut, nuk është një biznes i leverdishëm të bësh opozitë në këtë vend, dhe kjo mund ta ketë shtyrë Metën të ridimensionojë qëndrimet e veta. Frikësimi nga drejtësia, dhe padobishmëria e të bërit opozitë në këtë vend, mund ta ketë shtyrë Metën që të bëjë një tërheqje të përkohshme”.



