Një 48-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Tiranë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku është dënuar me 13 vite burg për shfrytëzim prostitucioni dhe skllavërim/nënshtrim.
Arrestimi i Bekim Nikollit u krye në kuadër të operacionit policor “FAST”, të zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, pas shkëmbimit të informacionit mes FAST Albania dhe FAST Italy.
Shërbimet e Sektorit për Kërkimin “FAST Albania” e lokalizuan 48-vjeçarin në zonën e Institutit Bujqësor në Tiranë, ku u bë edhe ndalimi i tij.
Sipas Policisë së Shtetit, Gjykata e Apelit e Napolit e ka dënuar Nikollin në vitin 2021 me 13 vite burg për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Skllavërimi/Nënshtrimi”.
Autoritetet italiane dyshojnë se ai, në bashkëpunim me persona të tjerë, shfrytëzonte për prostitucion gra të futura në mënyrë të paligjshme në Itali, ndërsa dyshohet se përdorte dhunë dhe forma presioni për t’i mbajtur nën kontroll.
Interpol Tirana ka nisur procedurat për ekstradimin e 48-vjeçarit drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e vendosur nga drejtësia italiane.



