
Një gazetare e cila punon për faqen e lajmeve të opozitës venezueliane La Patilla është arrestuar nga policia sekrete e vendit.
Ana Guaita Barreto u prangos në shtëpinë e saj pranë kryeqytetit, Karakas, tha familja e saj.
Sindikata që përfaqëson punonjësit e medias thotë se ajo është gazetarja e gjashtë që arrestohet pas zgjedhjeve presidenciale të 28 korrikut, të cilat autoriteti zgjedhor i dominuar nga qeveria thotë se u fituan nga presidenti aktual, Nicolas Maduro.
Rezultati i diskutueshëm ka shkaktuar protesta masive dhe një valë arrestimesh, shumë prej të cilave grupet e të drejtave të njeriut i kanë përshkruar si arbitrare.
Guaitas nuk iu komunikua arsyeja se pse po arrestohej, por sindikata tha se ajo ishte shënjestruar sepse punon për një faqe lajmesh të opozitës dhe të dy prindërit e saj janë mbështetës të opozitës.
Aktivistja e të drejtave Tamara Suju tha se familjes së gazetares Guaita nuk i ishte thënë se ku e kishin çuar.
Qeveria venezueliane deklaron se ka arrestuar më shumë se 2400 persona pas zgjedhjeve, disa prej të cilëve i ka akuzuar për “terrorizëm”.
Shumë prej tyre mbahen pa akses tek avokatët e pavarur dhe pa u lejuar të kontaktojnë familjet e tyre.
Shefi i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut paralajmëroi javën e kaluar për një “klimë frike” të shkaktuar nga ndalimet arbitrare.



