Kina duket se e ka fituar tashmë betejën me koronavirusin. Një zëdhënës i Komisionit Kombëtar të Shëndetit në Kinë konfirmoi se numri i rasteve të reja në Vuhan, epiqendra e epidemisë që më pas u përhap në të gjithë botën, numri i rasteve të raportuara për herë të parë ka vetëm një shifër. Vetëm 8 raste janë raportuar të mërkurën.
Ndërkohë, nëpër botë, epidemia po përparon me ritme të shpejta. Më shumë se 126 000 njerëz janë infektuar me koronavirus në të gjithë botën deri tani, ndërsa 4 624 kanë vdekur. Kuba, Hondurasi dhe Bregu i Fildishtë kanë raportuar rastet e para të të infektuarve, ndërsa Bullgaria, Irlanda, Suedia, Indonezia dhe Greqia raportuan viktimat e para.
Zyrtarisht, harta e koronavirusit shtrihet në 122 vende të tjera përtej Kinës.
Në Kinë, sipas një tabele të publikuar nga Reuters, janë konfirmuar 80 778 raste, ndërsa 3 169 kanë vdekur.
Në Evropë, piku është në Itali, me 12 839 të infektuar dhe 1016 viktima të regjistruara deri sot pasdite.
Pas Italisë, situata më e vështirë paraqitet në Iran me 9 000 raste dhe 354 viktima, Koreja e Jugut ka 7 755 raste dhe 61 viktima, Spanja me 2 277 raste dhe 55 viktima, Franca me 2 281 raste dhe 48 viktima, Gjermania me 1 966 raste dhe tre vdekje, SHBA me 1 281 raste dhe 38 viktima, Japonia me 1 335 raste dhe 17 viktima.



