Biznese, krim dhe pastrim parash! SPAK bllokon qindra milion euro pasuri

Biznese, krim dhe pastrim parash! SPAK bllokon qindra milion euro pasuri

Disa mund të mbeten të mahnitur nga ndryshimet estetike të kryeqytetit apo investimet në zonat bregedtare në sektorin e ndërtimit dhe hotelerisë.

 

Të tjerë janë të shqetësuar për zvogëlimin e hapësirave publike dhe shkatërrimin e zonave të mbrojtura në pjesët më të bukura të vendit…

 

Por ajo që do ka hapur debate më të mëdha në këto vite “transformimi” janë paratë që hyjnë në këtë treg, burimi i tyre dhe pasojat që kanë shkaktuar jo vetëm në natyrë por dhe në jetën sociale të shqiptarëve.

 

Sot është e vështirë, e ndonjëherë e pamundur për një çift të ri që të mund të jetojë në Shqipëri për shkak të çmimeve të larta të qirasë. Çmimet mesatare të qirave në kryeqytet, në varësi të zonave, variojnë nga 500 në 700 euro në muaj, në një kohë që paga mesatare është 900 euro.

 

E njëjta sfidë shfaqet edhe nëse një familje kërkon të blejë një apartament. Do të duheshin më shumë se 25 vite kursime për të siguruar strehim në zona të periferisë, gjithmonë nëse banka do të pranonte të jepte financim.

 

Të gjitha këto diskutime, përfshirë dhe shifrat se mbi 50 mijë apartamente në kryeqytet janë të pabanuara por çmimet vetëm rriten, do t’i jepte fund një hetim i Prokurorisë së Posaçme, i cili ka dalë në përfundimin se një prej ndërtuesve më të mëdhenj në kryeqytet, Ilir Shtufi, përdorte para me origjinë trafikun e lëndëve narkotike për të financuar aktivitetin e ndërtimit në të paktën 2 kulla në kryeqytet, një pallat dhe mijëra metrave katrorë ndërtim në zonën e bregdetit.

 

Për herë të parë SPAK bën bashkë emra të rëndësishëm të botës së krimit në fushën e trafikimit të drogës me biznesmenë të rëndësishëm në vendin tonë, duke pasqyruar një tablo të ekonomisë sonë të ndërthurur nga tregje të përqëndruara, para të pista, dhe individin të dobët e të nënshtruar përpara këtij sistemi!

 

Më të fortët marrin tokat, më të pasurit lejet e ndërtimit, paratë e pista financojnë një pjesë të tyre dhe brenda kësaj skeme përfshihen dhe të tjerë që punojnë dhe detyrohen të rritin fitimet e këij grupi që sundon ekonominë.

 

Një rrjet shqiptar i shtrirë në  vende të Amerikës Latine: Kolumbi, Ekuador, Bolivi, Paraguaj, Surinam, Uruguaj, Porto Riko dhe Brazil dyshohet se dërgonte tonalata drejt Belgjikës, Hollandës, Britanisë së Madhe dhe Italisë. 

 

Nga të dhënat e siguruara përmes zbërthimit të aplikacionit SKY ECC dhe hetimeve që kanë kryer autoritetet belge dhe spanjolle, SPAK ka arritur që të gjejë shtrirjen në Shqipëri të një prej grupeve shqiptare që operonte në Belgjikë e Hollandë, Alfredo Hamzain, Ardian Zykajn, Adrian Ramën, Elton Memetin, Orgest Birçajn, Orest Sotën dhe Dritan Agën.

 

Me operacionin e famshëm “Black Eagle” prokuroria belge kreu një nga hetimet më të mëdha në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike me rreth 40 persona të akuzuar, ku kreu i këtij grupi rezulton Alfredo Hamzai.  Ai akuzohet për menaxhimin e të gjitha fazave të trafikut: nga importimi i kokainës nga Amerika Latine e deri te përpunimi dhe shpërndarja në Evropë. Për të, prokuroria belge ka kërkuar 20 vite burg në Gjykatën e Apelit. I gjithë rrjeti i tij dyshohet se ka trafikuar mbi 6.7 ton kokainë në Europë.

 

Në hetimin e SPAK rezulton një tjetër degë bashkëpunimi e ketij grupi, e vendosur në Britaninë e Madhe, ajo e Luçiano Koçekut. 44-vjeçari, me origjinë nga Bulqiza dhe i vendosur më parë si emigrant në Londër, dyshohet se ka nisur aktivitetin e tij të trafikimit rreth viteve 2008–2009 në Angli, duke u shtrirë pas vitit 2015 në rrjetet ndërkombëtare të trafikut të kokainës nga Amerika Latina drejt porteve kryesore të Evropës Perëndimore si Anversa dhe Roterdami. 

 

Në Shqipëri Koçeku është njohur për autoritet e policisë gjatë një sherri masiv për motive banale në Green Coast në Palasë gjatë një koncerti që mbajti në gusht të 2024-s këngëtari Kostandinos Argiros, ndërsa u shpall në kërkim nga Policia e Tiranës si organizatori i një sulmi hakmarrës barbar, ku pesë të afërm të tij dhunuan me leva dhe sëpata një 48-vjeçar brenda një berberhaneje në kryeqytet, ngjarje kjo e lidhur me konfliktin e mëparshëm të Palasës.

 

Të gjitha këto figura i bashkon një emër jo pak i përfolur këto ditë në median shqiptare e atë ndërkombëtare: Artur Shehu, pronari i tokave në Zvërnec, mbi të cilin qeveria planfikon t-I hapë rrugën investimit të një resorti luksoz nga një kompani e lidhur me familjarë të presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump dhe Jared Kushner. Shehu rezulton të ketë zhvilluar takime me anëtarë të këtyre organizatave në ishullin e Arubës, Palma di Majorka, Monako dhe Gjermani.

 

“Nga përmbledhja e dërguar nga autoritetet belge mësohen të dhëna të rëndësishme, takime dhe njohje ndërmjet personave nën hetim Artur Shehu, Adrian Rama, Pëllumb Petritaj, Arben Ismailaj, takime këto të zhvilluara në Majorka, Gjermani, Aruba, apo Belgjikë. Në këto të dhëna rezultojnë takime të kryera nga ana e tyre me përfaqësues funksionarë të lartë shtetërorë të shtetit shqiptar në Aruba, përmendim këtu takimet e vëzhguara në janar-shkurt 2019.” thotë SPAK në dosje.

 

Edhe pse nuk ka ngritur ende një akuzë zyrtare për trafik të lëndëve narkotike për Artur Shehun, SPAK e dyshon atë si një person të rëndësishëm në këtë organizatë, në bazë të materialeve të vëzhgimit që i kanë ardhur nga autoritetet belge. 

 

Në fund të janarit të vitit 2019, në ishullin e Arubës në Karaibe, Artur Shehu është përgjuar të jetë shoqëruar me njerëz të besuar të tij, Arben Ismailaj, Elton Memeti, Adrian Rama dhe Bujar Shehaj, ku i pranishëm ka qënë dhe një funksionar i lartë i shtetit shqiptar, identiteti i të cilëve nuk thuhet. Në biseda ata rezultojnë të thurin plane jo vetëm për rrjetin e trafikut të kokainës por dhe për investime në ndërtim në kryeqytetin e Shqipërisë dhe resorte turistike në bregdet.

 

Këto takime duket se kanë të bëjnë me projekte pasurish të paluajtshme në Shqipëri, potencialisht të financuara me fonde të paligjshme, me mbështetjen e autoriteteve politike. Duket qartë se Artur Shehu mban një pozicion drejtues brenda organizatës. Ai udhëton nëpër botë për të marrë pjesë në takime për të organizuar trafikimin dhe duket plotësisht i vetëdijshëm për investimet në pasuri të paluajtshme, por është qartësisht i lidhur me trafikimin e kokainës, me shumë mundësi duke mbikëqyrur rrjetin.” thuhet në materialet hetimore.

 

Shehu njihet si një figurë me lidhje në krimin e organizuar në Shqipëri dhe degë e mafies së fuqishme italiane. Ai është larguar nga këtu në vitin 1999 pas një përplasje vdekjeprurëse në lokalin e tij në Vlorë, ndërsa kërkoi azil në SHBA të cilin e mori në vitin 2001 dhe në 2019 u pajis me ‘green card’ – çka i hapi rrugë për të marrë shtetësinë. Prej 20 vitesh ai jeton në shtetin e Floridas.

 

Në diskutimet e zhvilluara në Aruba, del në pah plani për të investuar në projektin e një kulle në një nga zonat më të kërkuara të Tiranës, afër stadiumit Arena, shesh i cili sot është kthyer në një shkollë për bicikleta për fëmijë të moshave 6-13 vjeç.

 

Skema ishte e tillë: anëtarët e grupit kishin lidhur kontrata me pronarët e truallit ku në këmbim të lejes së zhvillimit dhe ndërtimit që do të siguronin pranë autoriteteve, u lindte e drejta të merrnin gjysmën e sipërfaqes së tyre. Kulla më pas dyshohet se do të ndërtohej me para të ardhura kryesisht nga trafiku i drogës dhe parashitjet, ndërsa antarët e organizatës do të vilnin fitime të majme. 

 

Nga komunikimet e zbardhura të aplikacionit SKY ECC, rezulton se nipërit e të ndjerit Fatmir Rama, i njohur me nofkën “Miri i Xhikes” bisedonin me Artur Shehun, Alfredo Hamzain, Ardian Hykën, Elton Memetin dhe pronarët e truallit mbi planet për sigurimin e lejes së ndërtimit dhe investimin në objektin që do të ndërtonin. 

 

“Në kohën kur kanë filluar takimet e personave nën hetim në Spanjë (Majorka) dhe Aruba kishin filluar të kryheshin edhe veprimet përkatëse me pasurinë. Në datën 18.06.2018 shtetasit Xhon Rama dhe Erjon Rama, pronarë në këtë truall, kanë lëshuar deklaratë noteriale sipas së cilës shtetasi Artur Shehu do të realizojë zhvillimin e sipërfaqes së tokës, që do të bëhet në truallin e sipërcituar sipas kontratës së sipërmarjres. Në datën 18.10.2018 bashkëpronarë të këtij trualli, Eqerem Grori, Ramazan Grori, Sajmir Grori, Besnik Rama, Osman Dervishi, Majlinda Pina, Ylber Grori e të tjerë kanë lidhur marrëveshje me personi nën hetim Artur Shehu, sipas përmbajtjes të së cilës personi nën hetim Artur Shehu merr përsipër të nxjerrë dokumentacionin ligjor të pasurisë dhe të zhvillojë pronën dhe do të përfitojë 50% të pronësisë nëse arrin të përmbushë këto detyrime.” thotë SPAK.

 

“Endrra” për këtë kullë do të prihej në mes nga një sekuestrim që Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit kishte vendosur mbi një sipërfaqe në pronësi të Denis Matoshit i njohur ndryshe me emrin Eldi Dizdari, i dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Lëvizjet për revokimin e kontratës me Matoshin duket se nuk arritën të materializoheshin ndërsa hetimet belge për takimin në Aruba kishin mbërritur në Shqipëri, një pjesë e këtyre gjetjeve ku përmendej kjo mbledhje e famshme u publikua në media. Në vitin 2022, qeveria shqiptare në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë shpalli planin për të ndërtuar në këtë shesh Shkollën e Bicikletave dhe të niste shpronësimin e pronarëve të truallit. 

 

Edhe pse ky projekt dështoi, hetimet e SPAK tregojnë se tentakulat e grupeve kriminale të narkotrafikut në investimin e parave të pista nga trafiku i drogës kanë patur sukses në ndërtesa të larta në kryeqytet, siç ishte ‘Garden Building’, një godinë 85 metra e lartë me 24 kate në rrugën e Kavajës. Ndërtesa kap një sipërfaqe 62 mijë. 

 

Me një sipërfaqe prej 62 mijë metrash katrorë, një ndërtesë e tillë mund të kërkojë të paktën 50 milion euro për t’u ndërtuar nëse marrim koston mesatare të ndërtimit gjatë viteve të fundit, ndërsa vlera në treg për çmimet e shitjes 2 mijë deri në 3 mijë euro për metër katrorë,  mund të arrijë 130 deri në 200 milion euro.

 

Kompania Tirana 1 Konstruksion dhe Nova Construction 2012 siguruan një leje ndërtimi në vitin 2017, por pronari i kësaj kompanie, i arrestuar sot në Greqi për llogari të hetimeve të SPAK i dyshuar si i përfshirë në skemën e grupeve kriminale për pastrim parash, Ilir Shtufi, kishte vështirësi financiare. 

 

Shtufi kishte akumuluar jo vetëm borxhe ndaj kontraktorëve, por  rezultonte me probleme ligjore për shitjen disa herë të apartamenteve. Në këtë situatë, në derën e tij troket Luçiano Koçeku, një nga krerët e trafikut të lëndeve narkotike në Britani të Madhe, i cili merr përsipër zgjidhjen e çështjeve me drejtësinë dhe pagesën e borxheve. 

 

Në dëshminë e dhënë në prill të këtij viti nga i penduari i drejtësisë Erjon Alibej, një kundërshtar në shpërndarjen e drogës në Britani i organiztës Çopja, të cilët i akuzohen për vrasjen e vëllait të tij dhe masakrën e Bradasheshit në Elbasan, tregohet se gjysma e parave të investuara në këtë kullë janë paguar nga Koçeku. Dy vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja rezultojnë në komunikime në aplikacionin ECC me Luçiano Koçekun ku bisedonin për trafikun e drogës dhe investimin e parave.

 

SPAK ka arritur të vërtetojë përmes bisedave në aplikacionin SKY ECC se Luçiano Koçeku ka sjellë gjatë harkut kohor të 1 viti, në periudhën shkurt 2020 deri në mars 2022 përmes rrugëve tokësore me linja transporti, në rrugë tokësore përmes linjave të transportit  ai ka dhënë 35 milion euro. Paratë investoheshin në pasuri të patundshme përmes kompanive Shtufit dhe të afërmit të tij Gëzim Islami.

 

“Personi nën hetim Luçiano Koçeku në veprimtarinë e tij në krye të një grupi kriminal të mirëorganizuar prej tij me objekt aktiviteti në trafikimin e lëndëve narkotike nga shtetet e Amerikës Latine për në kontinentin e Europës, për të cilën i është dashur të kryej transferta kontinentale dhe ndërkontinentale të shumave monetare të pagesavel dhe përfitimeve në kriptomonedha të cilat janë në vlera të konsiderueshme. Shumat monetare i ka trasportuar  për në territorin shqiptar përmes linjave në tokësore dhe më tej i ka integruar përmes blerjes së pasurive të paluajtshme dhe në industrinë e ndërtimit përmes kompanive Nova Construction dhe LTD.  30% të kuotave të LTD ia ka besuar të afërmit të tij, personit nën hetim Gëzim Islami. Koçeku zotëron dhe disa pasuri të paluajtshme në Kodër- Kamzë, për të cilat ka dyshime të bazuara në prova se janë produkt i të ardhurave të përftuara nga aktiviteti i tij kriminal.” thuhet në hetime.

 

Investimet e parave të drogës nuk rezultojnë vetëm te kjo ndërtesë, por dhe në një kullë në rrugën “Mine Peza” leja për të cilën është miratuar në vitin 2019, ‘Godinë polifunksionale me 13 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë 33.7 mijë m2’ e ndërtuar nga kompania në pronësi të Shtufit ‘Nova Construction’. SPAK ka zbuluar se Koçeku ka blerë 40 m2 sipërfaqe trualli po nga kjo kompani në vitin 2020 te toka ku do të ndërtohet kulla për vlerën 30 mijë euro, më pas ka lidhur një marrëveshje sipërmarrje me të njëtin subjekt, ku nga dhënia e sipërfaqes për zhvillim do të përfitonte 500 m2 aparatmente dhe 10 poste parkimi. E gjithë kjo dyshohet se është një skemë për të maskuar injektimin e parave cash në këtë ndërtesë dhe përfitimin e sipërfaqeve të ndërtimit me vlera të mëdha duke deklaruar shuma të ulta monetare në investim. 

 

Një tjetër ndërtesë ku dyshohet se Koçeku ka pastruar paratë është një pallat 7 kate në rrugën “Stavri Themeli” me ndërtues kompaninë “Nova Construction”.

 

Llogaritë me miliona euro pasuri dhe sekuestrot me mijëra metra apartamente në kryeqytet zënë të paktën 20 faqe në vendimin e miratuar të Gjykatës së Posaçme, pas hetimeve që kanë kryer dy prokurorët Altin Dumani dhe Elida Kaçkini.

 

Dhjetra faqe të tjera janë sekuestro të vendosura mbi mijëra pasuri të patundshme në zonën e bregdetit, në fshatin Gjilekë Dhërmi dhe në Palasë në projektin Green Coast. Në këto investime shtrihet edhe dora e grupit që operonte në Belgjikë i udhëhequr nga Alfredo Hamzai, pjesë e të cilit janë dhe Astrit e Kastriot Vladi të cilët janë në gjykim si të dyshuar se kanë sjellë në Shqipëri në vitin 2018 nga Porti i Durrësit 2 makina “Toyota Auris” brenda të cilave gjendeshin 3.4 milion euro ‘cash’. 

 

Vilat në fshatrat turistikë të ndërtuara gjatë viteve të fundit kanë qenë shpesh objekt i hetimeve të SPAK jo vetëm në çështje të korrupsionit por dhe të krimit të organizuar. Grupi kriminal synonte investimin në 40 vila në kompleksin “Green Coast 4”, ndërsa në një rast në vitin 2021, Artur Koçeku i thotë një prej bashkëpunëtorëve se ka folur me Samir Manen, investitorin në këtë resort se ai i ka kërkuar 3 milionë euro për të ndërtuar në pronat e firmës së tij në Palasë. Ambicia ishte për ndërtimin e 40 vilave dhe 1 një hoteli me 120 dhoma. Prokuroria e Posaçme ka indicie se Manes i janë paguar ‘cash’ 1 milionë euro në shtëpi. Mbi të nuk rëndon asnjë akuzë nga hetimi, por gjatë javës së shkuar agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontrolle në ambientet në pronësi të tij. 

 

Anëtarët e grupit dyshohet se kanë në pronësi 16 vila në kompleksin Green Coast në Palasë, në Himarë dhe në Jalë. Për një pjesë të sipërfaqes së tokave mbi të cilat është ndërtuar kompleksi “Green Coast” SPAK dyshon se janë në pronësi të Artur Shehut i cili ka përdorur persona të tjerë për tjetërsimin e tyre, Arben Ismailaj dhe Polimer Beja. 

 

“Është konstatuar se shoqëria “Green Coast”, pasi ishte lidhur kontrata e shkëmbimit ndërmjet personit nën hetim Artur Shehu dhe Polimer Beja ka revokuar kontratën e sipërmarrjes me shtetasin Polimer Beja. Më pas kjo shoqëri ka lidhur me personin nën hetim Artur Shehu një kontratë shkëmbim ku “Green Coast” bëhet pronar i pasurisë së shkëmbyer me Polimerin dhe Arturi bëhet pronar të një sipërfaqe toke dyfish me të madhe. Kjo pasuri copëzohet në pesë pasuri të tjera, mbi të cilën kryen një sërë transaksionesh tjetërsimi me shtetasit kosovarë Pleurat Halili dhe Agim Haxha, kundrejt përfitimeve të shumave të parave, të cilat kalojnë kryesisht në shoqërinë “Adhenis” sh.p.k., në llogari të ortakuar Artur Shehu, i cili ia jep hua kësaj shoqërie, e cila gjithashtu është pajisur me leje zhvillimi.” thuhet në dosje.

 

Një mekanizëm tjetër i përdorur nga anëtarët e këtij grupi në pastrimin e parave është krijimi i qarkullimit monetar përmes faturimeve, huave dhe detyrimeve midis shoqërive “Kryon.83”, “ICLIMA ALBANIA” dhe “ECS Eco Climate Solution”. Sipas hetimeve grupi dyshohet se pastronte paratë duke i futur në prona luksoze dhe zhvillime ndërtimore në Tiranë dhe bregdet, duke përdorur kompani, persona të tretë, kontrata noteriale, fatura, hua, shkëmbime pronash dhe regjistrime formale që fshehnin përfituesin real me një zinxhir kompanish si Top Seven”, “Top Seven Construction”, “2A Construction” dhe“Onix”. Pasuri të përfituara nga aktiviteti kriminal janë edhe dy vila në kryeqytet, 3447 m2 truall  në Sarandë dhe një tokë në fshatin Sallmone të Shijakut. Grupi rezulton të ketë tentuar dhe pajisjen me licencë për television dhe radio, ku shpreheshin se pas kësaj do të bëheshin “të paprekshëm”.

 

I gjithë hetimi lidh në fund fijet jo vetëm mes simbiozës krim ndërkombëtar në narkotrafik, grupe kriminale me origjinë shqiptare që sjellin para nga ky aktivitet për t’i pastruar në Shqipëri përmes bizneseve të rëndësishme në hetim, por lidh dhe personazhin më të diskutuar të këtyre ditëve, Artur Shehun, si të dyshuar jo vetëm për falsifikimin e pronave në bregdet dhe kryeqytet, por pastrim të parave në këto pasuri të patundshme me origjinë aktivitetin kriminal. 

 

“Referuar komunikimeve të kryera në SKY ECC ku përftohen të dhëna që personi nën hetim Artur Shehu ka përfituar pasuritë me anë të falsifikimeve, që personi nën hetim interesohet për të zhvilluar/investuar pasurinë në Zvërnec me personin tjetër nën hetim Alfredo Hamzai, duke dërguar shtetas të huaj për të parë këtë pasuri, duke qenë të shoqëruar nga personat e tjerë nën hetim Adrian Rama.” thotë SPAK. 

 

Prokurorët dyshojnë se tokat në pronësi të Artur Shehut në Zvërnec dhe personit të lidhur me të Ferdinant Sulaj janë përfituar përmes falsifikimit të dokumentave, ndërsa po përgatiteshin për t’iu shitur kompanisë Albania Land Development, shoqëri e themeluar fillimisht nga Redi Struga dhe e shitur më pas te Sazan Operations e cila zotërohet nga persona të lidhur me vëllezrit sirianë me bazë në Katar, Mouatz dhe Ramiz Al-Khayyat. 

 

“Krijohen dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se, pasuritë e mësipërme janë përftuar nëpërmjet përdorimit të falsifikimit të dokumentave dhe me këto pasuri po kryheshin veprime e transaksione, të cilat ishin në kryerje e sipër dhe shumat e parave që do përfitoheshin nga shtetasit Artur Shehu dhe Ferdinant Sulaj do kalonin në llogaritë e këtyre të fundit duke mos u bërë e mundur sekuestrimi i tyre, ndodhur para urgjencës nga ana e prokurorit është vendosur sekuestrimi i llogarive bankare.” argumenton Prokuroria.

 

Me këtë hetim Prokuroria e Posaçme ka bllokuar vlerën më të madhe të pasurive të regjistruar ndonjëherë në punën e saj. Janë në total 140 milion euro të ngrira në llogari bankare, 7 mijë m2 truall në kryeqytet, 118 mijë m2 sipërfaqe tokash në bregdet, 27 apartamente dhe 2 vila në kryeqytet, 2 apartamente dhe 17 vila në bregdet, pasuri të cilat me një vlerësim të tregut të sotëm kapin një vlerë afërsisht prej 40 milion euro. Pas grupit kriminal që operonte në skemën e trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe falsifikimit dyshohen deri tani 20 persona. Vetëm për kompanitë e lidhura me emrat e Ilir Shtufit dhe Orest Sotës Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar afërisht 1 milion metra katrorë sipërfaqe ndërtimi. 

 

Grupi i shoqërive që lidhet me biznesmenët Ilir Shtufi, Kujtim Shtufi dhe Mark Luli rezulton të ketë marrë numrin më të madh të lejeve ndërtimit për kulla në kryeqytet. Kompanitë Nova Construction Group, Ferro Beton & Construction CO, Devealb Construction dhe M.C Inerte janë pajisur me 11 leje për të ndërtuar 727 mijë metra katrorë rezidenca banimi dhe hotele, sipërfaqe që përbën 15% të totalit të volumit të lejeve të dhëna për godina të larta që ka miratuar KKT. 

 

Kompania Forever Construction në pronësi të Lefter Sotës, babait të Orest Sotës është pajisur me 3 leje për kulla për një sipërfaqe totale 238 mijë m2. Një godinë me 18 kate në Bulevardin Gjergj Fishta me sipërfaqe 102 mijë m2, e cila më pas në vitin 2023 zgjerohet në 155 mijë m2. Në vitin 2022 janë dhënë dy leje të tjera për ndërtimin e një objekti 12 kate në zonën e ish-Bllokut dhe godinës Manhatan 1 me 30 kate në rrugën Asim Vokshi.

 

Nga analiza e bilanceve të kompanive që ndërtojnë kulla në Tiranë rezulton se mesatarisht 80% e financimit vjen nga parashitjet dhe kleringu, një model që favorizon depërtimin e parave të pista në këtë sektor.

 

Hetimi tregon një lidhje të fuqishme të parave me burim aktivitetin kriminal dhe trekëndëshit pushtet-krim- biznes, madje tenton t’i japë përgjigje dhe një pyetje që shtroi disa muaj më parë vetë kryeminsitri Edi Rama: A është ndërtimi në Shqipëri skenë krimi?

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy