
Ambasada Amerikane në Kosovë ka dënuar ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Veri, ku mbeti i vrarë një efektiv dhe u plagos një tjetër.
Në reagimin e ambasadës thuhet se Policia e Kosovës është legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
“Ne e njohim dhe respektojmë rolin e saj si reagimi i parë në situata emergjente dhe krize. Ne vlerësojmë koordinimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), sipas rastit”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Në deklaratë theksohet se po monitorohet situata nga afër dhe po dënohen aktet e dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Kosovës.
“Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Ata duhet të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre. Në emër të Shteteve të Bashkuara, shpreh ngushëllimet e mia të thella për vdekjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, i cili u vra në krye të detyrës. Gjithashtu përcjell urimet e mia për shërim të shpejtë për dy oficerët e plagosur”, thuhet në njoftim.



