Harvey Weinstein, producenti i akuzuar për abuzim seksual në Hollivud, është shpallur fajtor.
Në këtë mënyrë bie përfundimisht nga froni producenti i fuqishëm i Hollivudit, i cili do të mbahet mend për filma ikonë si “Pulp Fiction” dhe “Shakespeare in Love”, dhe filma të tjerë, që në total kanë marrë plot 81 Oscar.
Jeta luksoze që ai bënte dikur në Manhattan dhe Los Angeles, tani do të zëvendësohet me jetën e burgut në Nju Jork.
Jurisë prej shtatë gjykatësish burra dhe pesë gra në gjykatën supreme të Nju Jorkut u deshën pesë ditë për të arritur verdiktin.
Michelle Simpson Tuegel, një prej avokateve që ka përfaqësuar viktimat e abuzimit seksual, tha që pret një valë të re denoncimesh nga gra të tjera që do të inkurajohen për të folur për përvojat e tyre.
"Epoka #MeToo ka filluar fatmirësisht të demaskojë këto sisteme abuzimi të pushtetit, dhe tani gratë mund të dëgjohen dhe besohen", tha ajo.
Vendimi ndaj Weinstein gjithashtu pritet të ketë një ndikim të thellë në mënyrën e ndjekjes penale të krimeve seksuale. Mënyra sesi u ngrit akuza ndaj producentit ishte një bast i madh që tani rezulton i fituar.
Prokurorët zgjodhën si akuzuese kryesor dy gra, të cilat kishin pasur kontakte të ngushta - dhe nganjëherë seksuale - me Weinstein, pasi ishin sulmuar.
Në të kaluarën, prokurorët pothuajse në të gjitha rastet i kanë ndaluar hetimet kur seksi i detyruar dhe ai konsensual shkonn krahas, duke i konsideruar këto raste tepër të çrregullta për të garantuar vendime të drejta.



