Akademik Artan Fuga thotë se ka shprehur dëshirën për të kandiduar për kreun e Akademisë së Shkencave, por se nëse do të kandidojë do të varet nga shumë rrethana.
Në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv, Fuga tha se krerët aktual të Akademisë jo vetëm janë disi të ndjeshëm ndaj kësaj, por para dy javësh pati një deklaratë të Kryesisë së Akademisë së Shkencave kundër tij, për idetë e mia, pse nuk është dakord për nismën e dy deputetëve që duan të ndryshojnë ligjin.
Unë fillova të kërkoj si qytetar i lirë në bazë të Kushtetutës që këta deputetë të më përgjigjeshin.
Vjen më pas një deklaratë e Kryesisë së Akademisë, që distancoheshin nga unë se unë po fyeja dy deputetë të nderuar. Ndërkohë unë nuk isha i nderuar.
Ka një qëndrim që e quaj një shkelje e rëndë dhe më ka ardhur keq që kreu i Akademisë shkoi para një jave në Shkodër dhe çfarë nuk tha ndaj meje, në Universitetin e Shkodrës kur dha një intervistë ku tha “po nuk të shau i ligu shiko se nuk je në rregull”.
Që një Kryesi Akademie të marrë qëndrim ndaj një akademiku për pikëpamjet e veta, nuk di ç’të them dhe për më tepër që publikohet në sajtin e Akademisë.
Kujdes nga ato që janë lavdërime përballë, sharjet mbas nuk janë asgjë. Këta dy deputetë kërkojnë ndër të tjera dy ndryshime ligjore, së pari që kryetari dhe nënkryetari i Akademisë të kenë të drejtë të kandidojnë pas një mandati dhe për një tjetër.
Ligji aktual i ndalon dy mandate radhazi. Ndryshimi i dytë katastrofik, kryetari i Akademisë duhet të jetë kryetar Akademie dhe mbas moshës 75 vjeç që ligji e ndalon sot.
Këto të dyja janë ato që kam kontestuar. Pyetja është ku e kanë marrë spunton, çfarë i motivon këta deputetë.
Deputeti është i lirë të marrë nisma çfarë të dojë, por rregullorja e Kuvendit, norma, Kodi Etik e me radhë kërkojnë një sërë gjërash. E para nuk mund të jetë konflikt interesi deputet.
Njëri nga këta dy deputetë është personel i jashtëm në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Nuk mund të propozojë një ligj për Akademinë e Shkencave.
E dyta është ku e kanë marrë këtë ide? Është bërë pyetja në Akademi, e keni dhënë me shkrim këtë ide? Jo!
Si dy deputetë që s’kanë lidhje me Akademinë, marrin një nismë ligjore që s’dihet ku e ka zanafillën. Pyetja ime është e njohin statutin e Akademisë?
Ndryshimet në statut i bën Asambleja. Më pas është Kryesia që mund të lobojë si grup interesi dhe të japë idetë e veta.
Pyetja ime është kush është konsultuar, çfarë argumentash janë dhënë? Asgjë! Ta shtrojmë ndryshe, pse të ndryshohet ligji vetëm për kryetarin?
Përveç meje zërin e ka ngritur edhe akademik Apollon Baçe, ndërsa të tjerët nuk janë shprehur, as nëse duhen bërë këto ndryshime.
Deputetët kanë shkelur 7-8 norma të procedurës parlamentare.



