
Një vendim i Urdhrit të Stomatologut për rritjen e çmimeve të shërbimeve dentare ka sjellë kundërshtimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo e fundit e ka dërguar në gjykatë vendimin, me argumentin se rritja e çmimeve nuk është tagër i Urdhrit të Stomatologut.
“Pas kundërshtisë në votimin për vendosjen e tarifave për shërbimet dentare, Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë një tjetër hap për të bllokuar vendimin e Urdhrit të Stomatologut për rritjen e tarifave: Dërgimin në gjykatë të këtij vendimi, me argumentin se Urdhri i Stomatologut ka tejkaluar kompetencat”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Sipas Ministrisë, nuk do të ketë rritje tarifash sepse vendimi i Urdhrit të Stomatologëve është i paaplikueshëm.
Në bazë të vendimit të marrë disa ditë më parë nga Urdhri i Stomatologut, çmimet e shërbimeve dentare nëpër klinika dyfishohen. Kështu, sipas urdhrit, për një mbushje dhëmbi të gradës së dytë pacientët duhet të paguajnë 4000 lekë, nga 2000 lekë që ka qenë më parë. Edhe një mbushje dhëmbi e gradës së tretë, që më parë ka qenë 3000 lekë, me urdhrin e ri shkon në 5000 lekë.
Në lidhje me këtë vendim ka reaguar edhe Autoriteti i Konkurrencës. Ky i fundit bën të ditur se po e shqyrton këtë akt dhe do të shprehet me vendimmarrje nëse gjen kundërshti me ligjin.
Ndërkohë, opozita e akuzon ministren e Shëndetësisë se ka votuar pro këtij vendimi në një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Stomatologut, më 6 dhjetor të vitit të kalua. Deputeti demokrat, Bardh Spahia, tha sot se ministrja Ogerta Manastirliu e ka mbështetur me votë vendimin për rritjen e çmimeve të shërbimeve dentare.
“Për të gjithë ata që nuk e dinë, e të cilëve ministrja e Shëndetësisë po u hedh hi syve pacipësisht, në dokumentin e mëposhtëm, duket rezultati i votimit të vendimit të 6 dhjetorit: 22 vota pro e dy abstenime. Çfarë ministrja Manastirliu nuk thotë, është se 2 prej atyre votave pro janë të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila sipas ligjit është pjesë e Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Stomatologut. Përfaqësuesi i Fondit të Kujdesit Shëndetësor, që ka kryetar të këshillit administrativ vetë Ogerta Manastirliun, ka votuar PRO kësaj liste çmimesh, ndërsa juristi i Ministrisë së Shëndetësisë (që me gjasë e njeh mirë ligjin), ka abstenuar, dmth nuk ka kundërshtuar. Pra Ogerta Manastirliu, jo vetëm që nuk e mësoi dje për herë të parë atë vendim, por ishte pjesë e atij vendimi antiligjor të 6 dhjetorit, që sot thotë se po çon në gjykatë. Para gjykatës duhet të dalë e para ministrja, pjesë e atij vendimi”, është shprehur Bardhi.



