Më shumë se 10,000 ndërtesa banimi janë përmbytur në rajonet ruse të Uraleve, Vollgës dhe në Siberinë perëndimore. Lajmin e bënë me dije shërbimet e urgjencës këtë të hënë, teksa po kryenin evakuimin e banorëve nga qytetet e prekura nga përmbytjet.
“Më shumë se 10,400 ndërtesa banimi janë përmbytur”, tha Ministria e Emergjencave, e cila ende pret rritje të temperaturave, shtim të shkrirjes së borës dhe thyerje të akullit të dimrit që mbulon lumenjtë dhe përrenjtë.
Rusia ka evakuuar tashmë mijëra njerëz ditët e fundit për shkak të përmbytjeve, kryesisht në rajonin e Orenburgut, i cili kufizohet me Kazakistanin.



