
Drejtoria e Burgjeve ka sqaruar me anë të një njoftimi dinamikën e tentativës së arratisjes së dy të burgosurve. Arbër Cekaj dhe Fatmir Pjetri rezulton se dy të paraburgosurit e kanë organizuar tentativën për arratisje në bashkëpunim me njëri tjetrin. Dyshohet që tentativës para arratisjes i ka paraprirë një incident i kryer nga një i paraburgosur tjetër, i cili ka tentuar të presë damarët e dorës, duke tërhequr kështu vëmendjen e forcave të sigurisë të cilat po merrnin masa për ta shoqëruar në spital për të marrë shërbimin e duhur shëndetësor.
Të paraburgosurit kanë tentuar që të kryejnë arratisjen gjatë orarit të ajrimit, të cilët janë pikasur nga punonjësit e policisë së burgut 313, të cilët kanë marrë masat e duhura të menjëhershme për kapjen dhe neutralizimin e tyre. Gjatë tentativës për të dalë dy të paraburgosurit kanë goditur dhe një prej policëve të burgut 313, i cili është dërguar për marrjen e ndihmës shëndetësore.
Situata në IEVP 313 është nën kontroll, ndërsa të tre të paraburgosurit janë vendosur në izolim duke qenë nën regjimin e mbikëqyrjes së veçantë sipas nenit 68 të ligjit “Për trajtimin dhe të drejtat e të burgosurve”.
Në lidhje me ngjarjen grupi hetimor nga SHKBB në bashkëpunim me Drejtorinë e përgjithshme të burgjeve po kryejnë hetimin e thelluar për sqarimin e rrethanave të ngjarjes si dhe kryerjen e veprimeve procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe autorëve të saj brenda dhe jashtë institucionit. Pas hetimit materialet do ti vihen në dispozicion prokurorisë.
Për të tre të paraburgosurit po përgatiten kallëzimet penale për kryerjen e veprave penale, të tentativës për arratisje “largim nga vendi I vuajtjes së dënimit” si dhe goditje për shkak të detyrës.
Është urdhëruar në të njëjtën kohë rivlerësimi i kushteve të sigurisë në tërësi të institucionit 313 si dhe marrjen e masave administrative për rritjen e gatishmërisë në të gjitha institucionet penitenciare.



