Drejtuesit e aplikacionit të komunikimeve “WhatsApp” kanë paralajmëruar se do të paraqesin së shpejti mundësinë e “zhdukjes së mesazheve”, me anë të së cilës do të fshihen bisedat nga telefoni i dërguesit dhe i marrësit, pas një periudhe kohore prej shtatë ditësh.
Ky opsion i ri në aplikacion, i cili është në pronësinë e Facebook-ut dhe që ka më shumë se dy miliardë përdorues nëpër gjithë botën, sipas drejtuesve, do të ndikojë që mesazhet të mbahen private. Por drejtuesit kanë bërë të ditur se pranuesit e mesazheve megjithëkëtë do të mund t’i fotografojnë ekranet e përmbajtjes dhe t’i dërgojnë tek ndonjë përdorues tjetër, fotografitë apo videot që duan t’i ruajnë.
Kjo mundësi do të jetë e qasshme për përdoruesit e “WhatsAppit” në fund të nëntorit.
Në një deklaratë kompania ka bërë të ditur se përdoruesit mund të vendosin që mesazhet e tyre të zhduken pas shtatë ditësh, gjë që ndikon që njerëzit “të jenë më rehat, pasi që bisedat e tyre nuk do të jenë të përhershme, përderisa mundësia është praktike ashtu që nuk harroni se çfarë bisede keni zhvilluar”.
Kompania shpreson gjithashtu që t’i integrojë edhe platformat e tjera sociale në këtë opsion, duke i bërë WhatsAppin, Instagramin dhe Facebook Messengerin më ndërveprues.



