Tirana dhe Shkupi presin Samitin e fund qershorit me synimin për hapjen zyrtare të negociatave. Por sa e mundur është marrja e një date për konferencën e parë ndërqeveritare?
Lidhur me këtë çështje në studion e MCN TV ka folur, Dr. Emilio Çika, Pedagog në Universitetin Mesdhetar, i cili u shpreh krahas sfidave që duhen kapërcyer nga të dy vendet, sinjalet nga Bashkimi Europian janë pozitive.
Është dëshira e të dyja vendeve kryesisht e Maqedonisë dhe Shqipërisë për një vendim pozitiv të marrë nga tryeza e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE, në 24-25 qershor. Megjithatë janë disa sfida që duhen kapërcyer. Do thoja që më e rëndësishmja është nëse këto shtete duhet të diskutojnë në grup apo më vete dhe e dyta është problematika e vendosjes nga Bullgaria, vetos që ka vendos ndaj Maqedonisë, është problematikë e madhe e cila sjell probleme edhe për Shqipërinë. Problematika të tjera janë arritjet që ka vendosur BE kundrejt dy shteteve. Gjithsesi kemi sinjale pozitive që të dy shtetet janë në rrugë të mirë, megjithëse janë elemente të caktuara që nuk varen nga këto dy shtete. Janë problematika që kanë të bëjnë me brendësinë e politikës të Bashkimit Europian.
Ndërsa i pyetur se cilat shtete mund të refuzojnë një vendimmarrje për Shqipërinë, Çika kujtoi se “Edhe kur është paraqitur vite me parë traktati për kushtetutën europaine, problematika që e rrëzoi ishte nga Hollanda sepse ajo është një nga shtetet krijuese të BE, edhe pse nuk është një nga shtetet më të fuqishme, ka peshë shumë fjala e saj. Së dyti Holanda ka problematika të brendshme, duhet të sheshojnë problematikat e brendshme kundrejt zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”.
Sa i përket mundësisë për një ndarje mes Tiranës dhe Shkupit për çeljen e negociatave, Çika sqaroi se dëshira e KE është që të mos ndahen.
Nëse kthehemi rreth një vit më parë do kujtojmë që problemi për Maqedoninë e Veriut ka qenë Shqipëria duke vonuar Maqedoninë për të hapur çeljen e negociatave. Për këtë rast do themi që është Maqedonia e Veriut që mund të pengojë Shqipërinë për hapjen e negociatave. Por ashtu siç e ka thënë më herët edhe vetë kryeministri Rama, nëqoftëse do ketë një pengesë për Maqedoninë do pranojmë të ‘sakrifikohemi’ për të hyrë në BE si dy miq të mirë bashkë.



