
Policia e Shtetit njofton për e-maile të rreme në emër të Drejtorit të Përgjithshëm Tiranë – Policia e Shtetit ka bërë me dije se janë konstatuar disa raste ku persona të paidentifikuar kanë krijuar adresa elektronike të rreme, duke përdorur kredencialet e Drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Ilir Proda.
Përmes këtyre adresave janë dërguar mesazhe elektronike me përmbajtje kërcënuese ndaj qytetarëve, ku thuhet se ata janë nën hetim për krime kibernetike apo për vepra penale në fushën e narkotikëve.
Në disa raste, qytetarëve u është kërkuar të paraqiten në polici brenda 24 orëve.
Policia e Shtetit sqaron përmes një deklarate se:
Policia e Shtetit nuk dërgon kurrë njoftime zyrtare për hetime nëpërmjet e-mail-it.
Asnjë strukturë policore nuk kërkon që qytetarët të paraqiten në polici, pa një thirrje zyrtare të firmosur dhe të protokolluar.
Qëllimi i këtyre mesazheve është mashtrimi dhe përhapja e frikës tek qytetarët.
Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve që të mos iu përgjigjen dhe të mos shpërndajnë e-mail-e me përmbajte të tillë.



