SPAK ka ndërmarrë një seri kontrollesh në Tiranë dhe Vlorë në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për dyshimet mbi tjetërsimin e pronave në zonën e Zvërnecit.
Nga të dhënat paraprake raportohet veprimet procedurale synojnë sigurimin e provave lidhur me një skemë të dyshuar të përvetësimit të paligjshëm të pronave dhe falsifikimit të dokumentacionit të pronësisë në këtë zonë bregdetare.
Ndër personat ndaj të cilëve janë ushtruar kontrolle është edhe Pëllumb Petriti, ish-avokat, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në procesin e falsifikimit të dokumenteve të pronësisë që, sipas hetuesve, kanë shërbyer në favor të Artur Shehut.
Kontrolle janë kryer gjithashtu edhe ndaj Redi Strugës, inxhinier dhe administrator i kompanisë projektuese “InfraKonsult” sh.p.k. Sipas të dhënave të hetimit, kompania e tij ka blerë prona nga zotërues të ndryshëm, mes tyre edhe nga kompania “SERE”.
Po ashtu, Struga përmendet si përfaqësues i lidhjeve të biznesit përmes kompanisë “Albanian Land Development” me investitorët nga Katari, vëllezërit Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat, të cilët raportohen si partnerë investimi në projekte ku përfshihet edhe Jared Kushner.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po verifikojnë dokumentacionin dhe transaksionet e kryera për të zbardhur plotësisht rrethanat e çështjes.



