
Sot i gjithë territori i Shqipërisë është nën ndikimin e erërave të forta dhe stuhive, teksa në qytetin e Vlorës era ka marrë përpara disa pemë, madje edhe shtylla tensioni.
Si pasojë e erës disa shtylla elektrike janë rrëzuar apo kanë dalë jashtë përdorimit në nënstacionin e Rradhimës. Rënia e shtyllave ka lënë pa drita disa zona në Dukat, Tragjas e Llogara.
Në këtë situatë, prefekti i Qarkut u ka bërë apel qytetarëve të evitojne qarkullimin në këtë aks si dhe të kontaktojnë policinë për çdo problematikë të mundshme.

Apel për bllokimin e aksit rrugor në Llogora ka bërë edhe Policia e Vlorës.
“Për shkak të stuhisë me shi dhe erë të fortë në Vlorë, ju bëjmë me dije se aksi rrugor në Llogora është i pakalueshëm.
Shërbimet e Policisë Rrugore janë prezent dhe në gatishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve në rast nevoje.
Lutemi që drejtuesit e mjeteve ta shmangin këtë aks nga të dy krahët, derisa të qetësohet situata dhe të bëhet pastrimi i rrugës nga pemët e thyera”, apelon policia në Vlorë.



