Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori tha në emisionin “Arnautsitan” të moderatorit Mustafa Nano se problemi më i madh i Shqipërisë nuk është Kodi Zgjedhor, por kapja e shtetit dhe roli i oligarkisë ekonomike.
Ai vuri në dukje se në Shqipëri ka një klimë frike mes njerëzve që punojnë, sidomos në administratën publike, që si urdhër pune kanë të sigurojnë sa më shumë vota për partinë në pushtet. Qori konsideron si probleme të mëdha për demokracinë në Shqipëri shit-blerjen e votës dhe financimin jo transparent të partive politike.
Duke folur mbi rezultatin e Lëvizjes Bashkë në zgjedhjet e 11 majit, Qori tha:
“Lëvizja Bashkë ka bërë një hop cilësor, sepse nga një parti jo parlamentare është kthyer në parti parlamentare. Pra nuk është thjesht një avancim sasior të numrit të votave, por është edhe një hop cilësor. Tashmë do të jemi në Kuvendin e Shqipërisë, nuk kemi qenë më parë dhe nuk është aq e lehtë në një sistem politik dhe ekonomik si Shqipëria, që një parti e re, jo e çfarëdoshme, por një parti anti-sistemore si Lëvizja Bashkë, të arrijë të çajë të gjitha barrierat dhe të arrijë të futet në Kuvend. Sigurisht që pritshmëritë e shumëkujt, edhe të mbështetësve të Lëvizjes Bashkë, kanë qenë që ne të kishim një rezultat pak më të mirë, gjithsesi unë kam qenë gjithnjë i rezervuar, dhe gjithmonë kam thënë që Lëvizja Bashkë ka vetëm një votë të sigurt, votën time”.
I pyetur në lidhje me Kodin Zgjedhor, që kontestohet nga një pjesë e mirë e partive të reja, ai u shpreh:
“Mua më ke dëgjuar shumë rrallë të flas për Kodin Zgjedhor sepse mendoj që problemi më i madh i Shqipërisë s’është Kodi Zgjedhor, ndonëse ai ka problemet e veta. Ka probleme të tjera që kanë të bëjnë me kapjen e shtetit, rolin e oligarkisë ekonomike, me ata që i kontrollojnë mediat kryesore dhe agjendën e mediave kryesore, me faktin që këtu ka një klimë frike mes njerëzve që punojnë, sidomos në administratën publike, mes bizneseve të vogla, ka një rrjet shumë të thellë dhe të gjerë klienteliste, ku njerëzit kapen përmes favoreve të vogla. Është një kombinim i oligarkisë ekonomike, një pushteti që frikëson dhe rrjetës klienteliste që përbën faktorin kryesor në rezultatin në zgjedhje.
Partitë e tjera të reja s’kanë guximin të merren me oligarkinë ekonomike dhe orë e çast flasin vetëm për Kodin Zgjedhor. Britania e Madhe ka një kod më problematik për partitë e reja dhe të vogla se kodi elektoral në Shqipëria, Gjermania me prag 5 për qind, Kosova me prag 5 për qind, kanë një kod më problematik se Shqipëria”.
Qori thotë se shit-blerja e votës duhet të jetë krim që duhet ndëshkuar rëndë.
“Në Shqipëri ka probleme të tjera, që në ato vende nuk janë, që e vështirësojnë punën tonë. Në Shqipëri ka shumë probleme të shitjes dhe blerjes së votës. Shitet dhe blihet vota. Ky duhet të jetë krim që duhet ndëshkuar rëndë. Kur flas për shitje vote, flas me lekë në dorë njëherë. Forma të tjera janë ato të klientelizmit, ty të premtohet në mënyrë të paligjshme një vend pune, të premtohet një favor tjetër që s’të takon. Këto janë probleme të mëdha për demokracinë.
Tjetra, financimi i partive politike. Këtu bëhet nami me shpenzime, e bën PS-ja, e bën PD-ja, por edhe parti të sapoformuara. Ne kemi bërë një fushatë jashtëzakonisht modeste”.
Pyetjes së moderatorit Nano, se çfarë duhet bërë për t’u ndryshuar ky sistem, Qori i përgjigjet me fjalët:
“Duhet të shembet. Duhet të kemi një transformim të madh politik. Duhet që këta që janë në pushtet të mos jenë më në pushtet. Këta si ky dhe Sali Berisha që kanë qenë deri më sot në pushtet, nuk duhet të jenë më në pushtet”.



