Panairi i librit, si pazar virtual me kosto shtesë

Panairi i librit, si pazar virtual me kosto shtesë

Në botimet e Fjalorit të Shqipes, fjala “panair” endet të gjejë kuptimin mes “pazarit të madh me mallra të ndryshme, që zgjat zakonisht disa ditë; “ekspozitë e madhe me prodhime të ndryshme ku mund të bëhen porosi” dhe në një kontekst figurativ si “vend ku ka shumë zhurmë e rrëmujë, pazar”.  Panairi i Librit Virtual për 2020-ën, me mungesën absolute të librit fizik,  po jo të gotave të shampanjës e përfaqësuesve të institucioneve lokale dhe qendrore,  që në ceremoninë e çeljes së tij, kërkonte një përkufizim të ri. Diçka mes pazarit të vogël, që vërtitet tek 3.2 milionë lekë taksash shqiptarësh, të shpërndara nga Qendra e Librit dhe Leximit (0.7 milionë) dhe Bashkia Tiranë(afro 2.5 milionë lekë ). Panairi tri ditor i këtij viti është edhe një ekspozitë e madhe virtuale për librin, ku mund të bëhen porosi dhe të dalësh (si në asnjë panair tjetër prej 1998-ës, kur u mbajt për herë të parë) edhe me humbje financiare. Mjafton të klikosh në secilën prej shtëpive botuese, librarive etj., në një nga platformat digjitale si Panairi i Librit 2020, dhe kupton se në rubrikën përmbledhëse “Librat e fundit”, uljet në shumicën e rasteve janë afro 200 lekë ose më pak (përshembull “Stinë pandemie” e Fatos Kongolit nga 900 shitet 810 lekë, “Liri Belishova dhe koha e saj” i Bashkim Shehut shitet nga 800 në 640 etj.). Pra, ka raste, kur ulja e çmimeve të librave është më e ulët se 150 lekë.  Por, për lexuesin që porosit nga Tirana, kaq kushton posta e shpërndarjes. Ndërsa, për ata që duan të blejnë libra nga rrethet, posta kërkon 300 lekë,  ndaj humbja financiare është më e ndjeshme. Në të dyja rastet zgjidhja më e mirë do të ishte të blihej libri fizikisht në librari.

Në këtë pikë bëhet e paqartë se si “ofiqarët” që përplasnin duar e gotë në këtë 11 nëntor, duke përgëzuar e pagëzuar njëri-tjetrin për gjetjen (madje, ministria e Kulturës Elva Margariti, e pa si një gjetje të bukur që duhet aplikuar dhe në vitet në vazhdim), nuk gjetën shteg për të shmangur HUMBJEN FINANCIARE TË LEXUESIT, përmes blerjeve ‘online’. 

Edhe botuesit, nuk duken fort të kënaqur nga kjo “gjetje”, ku përqindjen me të cilën mund të kishin rimbursuar postën e  lexuesit që blejnë libra, duhet t’ia dorëzojnë platformave digjitale. Në këtë pikë nëse jo “thërrimet” e MK-së, siç i quajti kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, mund të kish hyrë në punë “bujaria” e Bashkisë, apo të gjendej një tjetër alternativë, që të mos rëndonte mbi lexuesin.

Sa i përket interesit që kanë shfaqur blerësit e mundshëm të librave ndaj kësaj alternative që do të zgjasë deri në 30 nëntor, “Tvt”, u informua për një nga aplikacionet më të klikuara siç është “Panairi i Librit 2020”, në të cilin, deri mbrëmjen e së shtunës ka pasur në ‘iOS’ 2700 shkarkime ndërsa në sistemet Android 4300, të tilla.

Në këtë pikë mbetet të kuptohet se kujt i shërbeu Panairi Online i Librit për këtë vit, duke mbetur në kufijtë e një pazari virtual me “shumë zhurmë e rrëmujë”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy