Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK padinë për shembjen të cilësuar si të paligjshme të Teatrit Kombëtar.
Sipas PD-së , qeveria ka “shkelur çdo ligj për të çuar përpara projektin e grabitjes së tokës publike të Teatrit dhe pas Teatrit. Një drejtësi e pavarur e ka shumë të thjeshtë të faktojë këtë të vërtetë dhe t’i vërë prangat Edi Ramës dhe Erion Veliajt”.
Në padinë e saj, Partia Demokratike thekson se në vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 180, datë 13.04.2000, vendosi shpalljen “Ansambël Monument Kulture” të aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës, ku përfshihej edhe godina e Teatrit Kombëtar, objekt i këtij kallëzimi.
Sipas PD-së, vendimi është propozuar nga Edi Rama, në cilësinë e Ministrit të Kulturës në atë kohë dhe nënshkruar nga Kryeministri i asaj kohe, Ilir Meta. Në hartën bashkëlidhur këtij vendimi, kompleksi i Teatrit është shënuar me numrin 32. Në pikën 4 të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, parashikohej se: “Ngarkohen Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Pushtetit Lokal dhe Ministria e Punëve Publike që, në bashkëpunim me institucionet e specializuara, të realizojnë projektin për ruajtjen dhe restaurimin e elementeve përbërës të ansamblit të mësipërm, në përgjithësi”.
Në padi, bëhet me dije se në datën 14 prill 2017, Këshilli Kombëtar i Territorit miraton Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Tiranë, që përcakton Qendrën Historike të Tiranës, ku përfshihet edhe Teatri Kombëtar.
Mirëpo, Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 582 të datës 3 tetor 2018 “Për deklarimin e qendrës historike të qytetit të Tiranës, përcaktimin e zonës mbrojtëse të saj dhe miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin” ndryshon sërish kufijtë e Qendrës Historike të Tiranës, duke zvogëluar edhe më tej territorin dhe duke lënë edhe një herë jashtë kufijve të Qendrës Historike, Teatrin Kombëtar dhe objekte te tjera si Muzeu Historik Kombëtar, Stadiumi, Kulla e Sahatit, etj.
Ndërsa bëhet me dije se plot 1 vit e 3 muaj pasi Arkitekti Bjarke Ingels kishte filluar punën për dizenjimin e projektit të Teatrit Kombëtar, pas kërkesës së Edi Ramës dhe Erion Veliaj, shoqëria “Fusha” sh.p.k. i drejtohet me anë të një shkrese (Nr. 24 Prot., datë 16.02.2018 dhe e protokolluar po të njëjtën ditë në Bashkinë e Tiranës me Nr. 6348 Prot., datë 16.02.2018) ku shpreh interesin për zhvillimin e zonës në zemër të qytetit të Tiranës, ndërmjet rrugëve “Murat Toptani” dhe “Abdi Toptani”. Zonë kjo, që përfshin truallin prej 5522 m2 të Teatrit Kombëtar, 2945 m2 prona publike të institucioneve qendrore dhe vendore si dhe pronë private.
Referuar padisë së PD-së, kompania “Fusha”, zotëronte vetëm 298 m2 pronë të saj që e kishte blerë vetëm disa muaj para se të drejtonte këtë shprehje interesi për zhvillimin e zonës.
"Është krejt absurde që një subjekt privat të kërkojë shembjen e institucioneve me vlera të vecanta kombëtare për ta zhvilluar për qëllime përfitimi. Është gjithashtu fakt i njohur publik, që projekti që u porositë nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, është paguar zyrtarisht për kompaninë arkitekturore nga kompania private “Fusha” sh.p.k", citohet nga padia.
PD, në padinë e saj tregon se nga vetë kronologjia e ngjarjeve rezulton se nuk ka qenë shoqëria tregtare “Fusha” sh.p.k. që ka kontaktuar për herë të parë arkitektin Bjark Ingels, por kanë qenë personat e kallëzuar prej nesh, Edi Rama dhe Erion Veliaj. Pasi këta dy shtetas kanë përcaktuar vetë arkitektin, pa kryer asnjë procedurë ligjore konkurrimi, kanë kontaktuar me shoqërinë “Fusha” sh.p.k. duke e përdorur si artificë që një situatë haptazi të paligjshme ta shndërronin prima facie si të ligjshme, në mënyrë që shoqëria “Fusha” sh.p.k. të paguante për projektin e tyre për Teatrin e Ri Kombëtar pasi më parë në objektivat e tyre e kishin prishur tanimë Teatrin Kombëtar. Numri i tenderave dhënë nga institucionet shtetërore dhe Bashkia Tiranë, pjesa më e madhe e tyre pa garë, vërtetojnë lidhjen klienteliste me shoqërinë “Fusha” sh.p.k..
"Me këmbënguljen personale të tij, ligji special u ndryshua në disa nene, vetëm duke hequr emrin e shoqërisë “Fusha” sh.p.k., por duke vendosur kritere të tilla që vetëm ajo shoqëri mund t’i përmbushte e të fitonte projektin. Tërheqja e qeverisë erdhi si pasojë e reagimit të Komisionit Evropian. Më 07.09.2018, KE i dërgon një letër Qeverisë shqiptare, nëpërmjet të cilës ngre shqetësimin se ligji special mund të krijojë probleme me nenet 72 dhe 74 të MSA-së. Jo vetem ky ligj ishte përsëri në shkelje të kushtetutës, legjislacionit aktual por edhe në shkelje të MSA me BE sepse nuk lejonte garën e hapur e të ndershme e duke përjashtuar të gjitha shoqëritë e BE për të marrë pjesë në tenderin për projektin e zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar dhe përreth tij. Më 20 Shtator 2018, Parlamenti miratoi ligjin me ndryshime, i cili favorizonte shoqërinë “Fusha” sh.p.k., duke qenë pronare e një prone pranë asaj të Teatrit Kombëtar", citohet nga padia.
PD tregon se në veprimet që pasuan u kuptua se çdo veprim i kryer në bashkëpunim midis shtetasve të sipërpërmendur ka pasur një qëllim: prishja e Teatrit Kombëtar, uzurpimin e pronës publike dhe ndërtimi i projektit të tyre të rakorduar këtë me arkitektin Bjark Ingels.
“Për t’i shërbyer këtij qëllimi, qeveria e më pas parlamenti, me votat e maxhorancës miratoi ligjin special “Fusha” me nr. 37/2018 “Per percaktimin e procedures se vecante per vleresimin, negocimin dhe lidhjen e kontrates me objekt Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godines se re te Teatrit Kombetar” në shkelje të kushtetutës dhe disa ligjeve”, thuhet në padi.
Ndërsa, mësohet se ligji nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës dhe u kritikua edhe nga Komisioni Europian.
Sipas PD-së, në këtë rast, jemi përpara faktit që porosinë për realizimin e projektit ndaj arkitektit e bën Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë në vitin 2016 (pranuar publikisht nga vetë arkitekti), ndërkohë që klient për realizimin e projektit është një kompani private Fusha sh.p.k. (që bën edhe financimin për realizimin e projektit). Ky fakt provon se jemi përpara marrjes së një përfitimi të parregullt dhe pranimit të një oferte që vjen nga një përfitim i parregullt.
Në padi theksohet se po ashtu, është fakt i njohur publik dhe i provuar me dokumente shtetërore, që trualli dhe ndërtesa e Teatrit Kombëtar, është pasuri e paluajtshme publike, në pronësi të shtetit shqiptar. Kjo provohet edhe nga Kartela e Pasurisë së Paluajtshme Vol. 30, faqe 40, me indeks harte TR-P-12, për pasurinë nr. 1/241, në zonën kadastrale 8150, ku sipërfaqja prej 5,522.70 m2, brenda së cilës është edhe ndërtesa e Teatrit Kombëtar, është me pronar SHTET. Për pasojë, çdo sipërmarrje për realizimin e një projekti për zhvillimin e kësaj prone publike, mund dhe duhet të kryhet vetëm mbi bazën e një kërkese, në përputhje me legjislacionin shqiptar, të pronarit të pronës që kërkohet të ndërtohet dhe vetëm në rastet se për këtë ka nisur një procedurë zyrtare dhe ligjore.
Në padinë e saj PD kërkon që të merret si provë një telefonatë e zhvilluar me datë 21 maj 2020 nga televizioni TVT me biznesmenin Shkëlqim Fusha, i cili do të deklaronte se ata do të vazhdonin projektet e tyre, të cilave Bashkia Tiranë mund t'u bashkangjitej.
PD shprehet se rezulton e provuar, nga deklarimet e bëra publike nga shtetasi Bjarke Ingels që ai ka marrë një propozim privat nga Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, ndërkohë që zyrtarisht deklaron që klient në realizimin e këtij projekti është kompania private Fusha sh.p.k., e cila nuk është pronare e pasurisë së paluajtshme publike ku kërkohet të realizohet ky projekt publik.
"Ky projekt është realizuar pa pasur asnjë bazë konkrete të ndonjë procedure ligjore të partneritetit publik privat, për shkak se autoritetet përgjegjëse shtetërore nuk kanë hapur asnjë procedurë të tillë në momentin e fillimit të realizimit të këtij projekti. Në rastin konkret, vepra penale është kryer nëpërmjet realizimit të shërbimit të sipërmarrjes, në realizimin e një projekti në një pasuri publike, nga ana e një subjekti privat, pa patur asnjë procedurë konkrete të shpallur zyrtarisht nga shteti shqiptar për një interes të tillë në procedurë partneriteti publik privat. Për më tepër, me miratimin e ligjit "Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar", autoritetet shtetërore mohojnë që ky të jetë një projekt partneriteti publik privat, duke e konsideruar atë si një projekt sui generis dhe që nuk rregullohet nga legjislacioni shqiptar në fuqi! Në këtë mënyrë, një projekt arkitekturor, në një pronë publike, nuk mund të realizohet pa një konkurs projektimi sipas ligjit, pa patur asnjë marrëveshje me pronarin shtet, dhe pa patur asnjë procedurë ligjore partneriteti publik privat. Sipas legjislacionit në fuqi, sipërmarrja është kontrata me të cilën njëra palë (sipërmarrësi) detyrohet, që me mjetet e saj dhe duke marrë përsipër rrezikun, të kryejë një punë, ose të bëjë një shërbim, ndërsa pala tjetër detyrohet ta pranojë atë kundrejt çmimit të caktuar në kontratë", citohet nga padia e PD-së.
Për t’i hapur rrugë zhvillimit të asaj zone, sipas projektit që po hartonte arkitekti z. Bjarke Ingels, që në vitin 2016, Qeveria shqiptare dhe institucionet përgjegjëse shqiptare, rezulton e provuar që të kenë ndërmarrë këto veprime, pas fillimit të punës për realizimin e projektit, por përpara paraqitjes zyrtare të propozimit të pakërkuar nga Fusha sh.p.k.:
a. Me vendimin nr. 325, datë 12.4.2017 të Këshillit të Ministrave, është vendosur të hiqet Teatri Kombëtar dhe zona rreth tij nga pjesa e Qendrës Historike të qytetit të Tiranës (edhe pse kjo zone është pjesë e zonës ku ndodhet Kalaja e Tiranës!). Në këtë mënyrë është shfuqizuar vendimi nr. 180, datë 13.04.2000 i Këshillit të Ministrave. Për pasojë, historia e qytetit dhe objektet që përfshihen në trashigiminë kulturore, nuk përcaktohen më nga vlerat që ato përfaqësojnë (të cilat nëse i kanë plotësuar në vitin 2000, ska asnjë arsye historike/teknike për t’i humbur këto vlera 17 vjet më vonë), por nga vullneti i një arkitekti dhe subjekti privat, se ku dhe si ato duan të ndërtojnë. Në një shoqëri demorkatike kjo është e papranueshme, aq më tepër që trashëgimia kulturore e një shteti, nuk është pasuri vetëm e atij shteti, por e të gjithë njerëzimit.
b. Është miratuar me vendimin nr. 1, datë 14.04.2017 të Këshillit Kombëtar të Territorit, Plani i ri i Përgjithshëm Vendor për Bashkinë Tiranë, duke shfuqizuar në atë mënyrë vendimin Nr. 1, datë 15.02.2013 të KKT "Plani i Pergjithshëm Vendor, Bashkia Tiranë". Ndërtimet në Tiranë bëhen në bazë të Planit të Përgjithshëm Vendor (PPV) dhe rregullores së tij. Ai përcakton me rreptësi kush ka të drejtë të ndërtojë, çfarë ndërtimi lejohet të kryejë, sa për qind të pronës së vet mund të zhvillojë, kur mund të bëjë marrëveshje zhvillimi me bashkinë, çfarë duhet t’i japë bashkisë dhe çfarë mund të kërkojë si përfitim në këmbim etj. Nëse zonat e tjera të Tiranës e kanë sipërfaqen totale të ndërtimeve të lejuara të përcaktuar me metra katrorë, intesitetin e ndërtimit të përcaktuar 2, 2.5, 3, koeficientin e shfrytëzimit të truallit jo më të lartë se 45%, numrin e kateve, si rregull, jo më shumë se 9 kate mbi tokë, për zonën e Teatrit Kombëtar dhe rreth tij, nuk vendoset asnjë kufizim dhe lihet e hapur dhe e pacaktuar.
PD thekson se për t’i hapur rrugë realizimit pikërisht të këtij projekti, Qeveria hartoi një projektligj të posaçëm dhe individal, vetëm për të eleminuar garën dhe shmangur nga zbatimi ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”. Qeveria nuk ka bërë vetë asnjë studim feasibiliteti apo analizë kostoje dhe përfitimi, apo analizë financiare të projektit zhvillimor në fjalë. Sipas ligjit të miratuar, kontrata do të bazohet në Termat e Referencës që ka hartuar dhe propozuar vetë kompania “Fusha” sh.p.k., ku përfshihet pikërisht projekti i realizuar nga arkitekti z. Bjarke Ingels!
Ky veprim i Qeverisë u krye edhe pse ajo zyrtarisht ka deklaruar se propozimi për zhvillimin e asaj zonë dhe krijimin e këtij partneriteti publik privat, ka ardhur nga kompania private “Fusha” sh.p.k., e cila ka paraqitur një propozim të pakërkuar. Mirëpo, një projekt i tillë qartësisht përfshihet në fushën e veprimit të ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik-privat”, i ndryshuar, dhe për të cilin ndiqen të gjitha fazat dhe procedurat që parashikon ky ligj. Në asnjë rast, ligji nr. 125/2013 nuk parashikon që projekti i pakërkuar përzgjidhet automatikisht, por ai shërben si pikënisje e procedurës për realizimin e projektit të partneritetit publik-privat, për të cilin zbatohen dispozitat e vetë ligjit, dhe që udhëhiqet nga parimet e transparencës, mosdiskriminimit, proporcionalitetit, efikasitetit, trajtimit të barabartë, reciprocitetit dhe të sigurisë ligjore. Në këtë kuptim, duhej të zhvillohej një procedurë transparente konkurimi, sepse vetëm në këtë mënyrë maksimalizohet përfitimi i shtetit dhe mbrohet interesi publik.
Fakti që “Fusha” sh.p.k., që prezantohet zyrtarisht si klient nga arkitekti z. Bjarke Ingels, është një nga disa pronarët privatë që kanë pasuri të paluajtshme në zonën përreth Teatrit Kombëtar (në sipërfaqe të vogla që bëjnë vetëm rreth 10 % të të gjithë sipërfaqes që përdoret për realizimit të projektit, ku pjesa tjetër e sipërfaqes është pronë publike), nuk nënkupton që në rastin konkret nuk duhet zbatuar ligji për partneritetin publik privat apo për konkursin e projektimit, për shkak se bëhet fjalë për një kontratë punësh publike. Ligji nr. 125/2013, parashikon qartë që ky është rast tipik i partneritetit publik privat, ku partneri privat, ngarkohet me përgjegjësinë që të sigurojë parakushtet e nevojshme për t'u ofruar shërbimet publike përdoruesve të shërbimeve (që në rastin konkret është të ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar, që të përdoret nga artëdashësit). Ndërkohë që ligji për prokurimet publike parashikon qartë se projekte të tilla mund të realizohen vetëm nëpërmjet një procedure “konkurs projektimi”.
Kallëzimi është për kryerjen e pretenduar të 9 veprave penale, “Shkatërrimi i pronës”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i veprave kulturore”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”, “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, “Korrupsioni pasiv i funksionareve te lartë shtetërorë ose i te zgjedhurve vendore”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Kallëzimi, përtej kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erjon Veliaj, i drejtohet edhe Arbjan Mazniku, Alban Dokushi, Taulant Tusha, Erindi Bejko, Jonida Halili, Julinda Dhame, Ditjon Baboci, Dhimitraq Furxhi, Frida Pashako, Berta Piro, Laura Deliu, Elena Jaupaj, Jetmir Hasa, në cilësinë e nëpunësve civilë pranë Bashkisë Tiranë dhe propozues për shembjen e Teatrit Kombëtar, dhe Toni Gogut, kryetar i Këshillit Bashkiak Tiranë.
Të kallëzuar edhe Ing. Agron Hysenlliu, Ing. Afrim Cenga, Ing. Artur Hasantare, Ing. Olsi Nunaj, Ing. Elbarina Nunaj, në cilësinë e funksionarëve të Institutit të Ndërtimit, dhe Dallëndyshe Bici, kryeinspektore e IKMT-së.



