Demokratët janë të gatshëm të bëjnë aleancë edhe me parti të majta për të kundërshtuar ligjin për importin e mbetjeve. Siç shkruan sot GSH, burime pranë PD-së kanë pranuar se janë gati për bashkëpunim politik edhe me forca aleate të kryeministrit Rama, përfshirë këtu LSI-në apo PDIU-në si dhe me deputetë të majtë si Blushi dhe Hafizi.
Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve u miratua pak javë më parë në Parlament me 63 vota. Por presidenti Nishani nuk e dekretoi, duke e rikthyer sërish në Parlament, ku tashmë i duhen 71 vota për miratim.
Ndërkohë, në PD nuk ka ende një qëndrim zyrtar lidhur me rikthimin e këtij ligji. Pritet që kjo çështje të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të grupit parlamentar.
Në fund të shtatorit, PD-ja ka dorëzuar në Kuvend një kërkesë për referendum për importin e mbetjeve.



