
Bashkimi Evropian, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar kanë dënuar devijimin e fluturimit nga Bjellorusia të Dielën për të arrestuar gazetarin Roman Protasevich.
Udhëheqësit evropianë do të diskutojnë situatën në takimin e sotëm, ndërkohë që Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka paralajmëruar se "sjellja e egër dhe e paligjshme e regjimit në Bjellorusi do të ketë pasoja".
Të hënën, Brukseli tha se kishte thirrur ambasadorin e Bjellorusisë në BE, Aleksandr Mikhnevich, për të kërkuar lirimin e gazetarit.
"Ambasadori Mikhnevich u informua për dënimin e prerë nga institucionet e BE-së dhe vendet anëtare të BE-së për aktin shtrëngues me të cilin autoritetet Bjelloruse kanë rrezikuar sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazhit," lexohet në një deklaratë nga shërbimi i jashtëm i BE-së.
Bjellorusia detyroi fluturimin Ryanair të Dielën FR4978 nga Athina në Vilnius në Lituani të devijonte përpara se të arrestonte aktivistin Roman Protasevich.
Pratasevich, 26 vjeç, është themelues i një kanali aplikacioni për mesazhe në Bjellorusi, që ka qenë një kanal kryesor informacioni për kundërshtarët e presidentit autoritar të Bjellorusisë.
Shërbimi për shtyp presidencial i Bjellorusisë tha se Presidenti Alexander Lukashenko personalisht urdhëroi një avion luftarak MiG-29 për të shoqëruar avionin Ryanair në aeroportin e Minskut.
Ai tha se një kërcënim për bombë u mor ndërsa avioni ishte mbi territorin Bjellorus, ndërkohë që zyrtarët më vonë thanë se nuk u gjet asnjë eksploziv në bord.



