Një shqiptare në krye të komunës Vermdë në Suedi. Dëshira Vrajolli Flankër (37 vjeçe), nënë e dy fëmijëve, është zgjedhur kryetare e komunës Vermdë afër Stokholmit.
“Shpresoj që mërgimtarët shqiptarë do të inspirohen dhe do të ndjekin ëndërrat e të ardhmes së tyre. Suedia është një vend fantastik me mundësi që rrallë ndonjë vend tjetër t’i ofron. Ndaj shpresoj edhe njëherë se bashkatdhetarët e mi do ta shikojnë gotën e mbushur përgjysmë duke vërejtur gjërat pozitive që kemi marrë nga Suedia”, shprehet ajo.
Dëshira është ekonomiste në profesion. Në politikë ajo ka qenë aktive sidomos gjatë dy viteve të fundit, pasi është zgjedhur delegate e kuvendit të komunës dhe kryetare e administratës komunale për ndërtim, ambient dhe mbrojtje shëndetësore.
37-vjeçarja shqiptare është zgjedhur kryetare e komunës Vermdë dhe që nga 1 janari i 2017-ës do të mbajë drejtimin e kësaj komune që shtrihet në arkipelagun e afërt të Stokholmit, raporton “Koha.net”.
Komuna e Vermdës është një komunë e zhvilluar me afër 42 000 banorë. Është e njohur posaçërisht me industrinë e porcelanit dhe me bukuritë e rralla që ofron arkipelagu i Stokholmit.



