Inxhinierja Dëshira Mena, thotë se marrja në shqyrtim nga Kuvendi i projektligjit për Urdhrin e Inxhinierit dhe Urdhrin e Hidroteknikut, kërkon krijimin e Urdhrit të Inxhinierëve, ndërsa Hidrotekniku kërkon një urdhër të veçantë vetëm për Urdhrin e Inxhinierëve Hidroteknik.
Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV, ajo tha se i gjithë qëllimi është të krijohet një strukturë nën titullin e Urdhrit i cili do të menaxhojë rreth 70% e ekonomisë së vendit, e cila është ekonomi që menaxhohet nga inxhinieria.
Sipas saj, është një ligj antikushtetues pasi aktualisht profesioni i inxhinierit është i rregulluar me ligj.
Çdo gjë që është bërë deri tani duan ta hedhin poshtë dhe ta përqendrojnë tek këto dy nisma që duan të bëjnë.
Në ligjin me të cilin po punojmë janë të specifikuara të gjitha kriteret, detyrimet dhe disiplinimet e profesionit të inxhinierisë.
Ligjin aktualisht e drejton ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, aty ku ne licencohemi.
Propozimi bëhet sikur ne të mos kemi inxhinieri, mos të kemi ministri, të mos kemi shtet. Ti propozon sikur të jetë një gjë inaktive.
Kërkojnë të krijojnë urdhrin për të gjitha kompetencat që i ka sot ministria.
Duan të marrin në dorë pushtetin e inxhinierisë, përmes të gjithë filtrave që kanë, që të kontrollojnë inxhinierin që nga momenti që do dalë nga bankat e shkollës e deri sa të dalë në pension.
Ministria ka thënë se jemi ne institucioni që përfaqësojmë Urdhrin e Inxhinierit dhe se çdo diskutim duhet të kalojë përmes nesh.
Në këtë projektligj nuk përfshihen inxhinierët e mjedisit. Kërkojmë të diskutohet në komisione, të merren në konsideratë kërkesat tona dhe të rrëzohet.
Të martën do të bëjmë një demonstrim publik para Kuvendit, ku do të mblidhen të gjithë inxhinierët, që të kërkojmë që vendimmarrja e tyre të fokusohet drejt gjithë instrumenteve ligjorë.
Të drejtën e licencimit kërkojnë ta marrin. Siç është prezantuar projektligji, thuhet se iniciatorët e këtij draft-projektligji do të jenë edhe drejtuesit e parë të Urdhrit.
Drafti është propozuar nga deputetja Luljeta Bozo, në mbështetje nga 11 shoqata inxhinierësh, të cilat janë shoqata inekzistente.
Ato shoqata nuk janë të regjistruara në organet tatimore. Janë shoqata fiktive të cilët në përmbajtjen e tyre kanë 20-30 veta.
Duan të kapin në dorë inxhinierinë dhe licencimin. Çdo gjë fillon nga licenca. Urdhri është ajo kuçedra që ndalon ujin në burim.
Nëse nuk të jep licencën, bëj sa të duash skema transparenca për tendera dhe punime.
Pse nuk e ka futur Urdhrin e Arkitektit. Inxhinieria nuk ka urdhër se është e rregulluar me ligj në formën që ajo ka. nuk mund të thuash hiqja shtetit dhe jepja Urdhrit që nuk jep llogari gjëkundi.
Është çështje korruptive dhe për rrjedhojë krijohen pasoja antikushtetuese. Jemi përgatitur për ta çuar në çdo instancë që do të duhet për të marrë vendimin e duhur.
Nëse një grup njerëzish do të marrë në dorë inxhinierinë ka marrë në dorë 70% të ekonomisë së vendit dhe sigurinë e tij.
Edhe ata që e bëjnë nuk janë të ndërgjegjshëm për dëmin e madh që vjen pas këtij Urdhri. Është si të luash me zjarrin.
Zonja Bozo nuk është e ndërgjegjshme për çfarë po bën.



