Pirja e tre filxhanëve me kafe në ditë, zvogëlon rrezikun e vdekjes së një personi, sipas një studimi të ri. Pothuajse gjysmë milioni britanikë të regjistruar në studimin e Biobank në MB u ndanë sipas sasisë së konsumimit të kafesë: ata që nuk pinin asnjë, deri në tre filxhanë dhe më shumë se tre filxhanë në ditë. Përfitimet u gjetën edhe për ata që pinë kafe pa kafeinë.
Studimi zbuloi se konsumuesit e kafesë, deri në tre filxhanë në ditë, kishin 17 deri 21 për qind më pak gjasa të vdisnin nga sëmundje të zemrës ose goditje në tru. Gjatë periudhës së studimit, 3.4 për qind e konsumuesve të 3 filxhanëve vdiqën, krahasuar me 3.7 për qind të atyre që nuk pinin kafe dhe katër për qind të atyre që pinin sasi më të larta të kafeinës.
Dr Pal Maurovich-Horvat, drejtor i qendrës së imazhit mjekësor në Universitetin Semmelweis dhe një nga bashkautorët e studimit, tha: “Kemi zbuluar se konsumimi i rregullt i kafesë në sasi të lehtë është i dobishëm për shëndetin e zemrës, me sugjerimin se mund të ngadalësojë ndryshimet kardiake të lidhura me moshën.”
Gjithashtu studimi zbuloi se kafeja e bluar pa kafeinë ka përfitime shëndetësore, pasi ata që “rregullisht” zgjodhën kafe pa kafeinë kishin një rrezik më të ulët të vdekjes në krahasim me ata që nuk pinin fare kafe. Si rezultat, studiuesit arritën në përfundimin se përfitimet nga kafja janë vetëm pjesërisht për shkak të kafeinës.
Prof Steffen Petersen, një ekspert në mjekësinë kardiovaskulare nga Universiteti Queen Mary, shtoi: “Kafja është një nga pijet më të konsumuara në botë. Megjithatë, efektet e saj kardiovaskulare nuk janë të njohura dhe disa studime të mëparshme kanë treguar rezultate kontradiktore. Me sa dimë, ky ka qenë studimi më i madh deri më sot, i cili u fokusua në efektin e kafesë në shëndetin kardiovaskular”.



