Duke folur jashtë Kuvendit, kreu i PD Sali Berisha deklaroi se kryeministri Rama po përdor reputacionin e NATO-s për të mbuluar mega-aferën për Portin e Durrësit.
Berisha e konsideroi mega-skandal propozimin e kryeministrit Rama për ndërtimin e një baze ushtarake të Aleancës në Porto Romano.
“PD ka qenë, është dhe mbetet fuqimisht një forcë pro-atlantike e vërtetë. Ajo mbetet e vendosur për një bashkëpunim sa më të ngushtë me aleancën dhe garantoj edhe një herë se është e gatshme t’i ofrojnë nesër në pushtet aleancës të gjitha lehtësirat aero-portuale që i duhen në territorin e Shqipërisë. E përshëndes faktin që nuk e përtypi mashtrimin e paskrupullt të Edi Ramës, i cili për të mbuluar mega-aferën të përvetësimit të 1 mijë metër katror të Durrës, kërkon ta mbulojë me angazhimin e NATO-s në Porto Romano. Ky propozim është mega-skandal, kërkon të përdorë reputacion e jashtëzakonshëm që ka Aleanca për qëllime te veta korrputive. Është guxim i madh të dalësh dhe të shëtisësh në një kohë kur ke damkën e një mega korruptori, e një persekutori të fjalës së lirë, në një kohë kur bën gjithçka për të larë paratë e krimit dhe për të bërë vendin tënd simbol të drogës dhe të krimit, dhe për të bërë vendin tënd simbol të drogës dhe krimit”.



