Ky vit i ri akademik nis me një numër të reduktuar studentësh. Në studion e lajmeve të MCN TV, presidenti i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Nevruz Kaptelli, tha se largimi i të rinjve dhe familjeve të tyre jashtë vendit po shkakton mbylljen e degëve të studimit, sidomos në rrethe. Kaptelli tha se ligji për studentët e mjekësisë ka shkaktuar reduktimin e regjistrimeve në këtë degë.
Për vitin e ri akademik janë po të njëjtat problematika që kanë qenë edhe vitet e kaluara. Ne si sindikatë I kemi kërkuar ministrisë të ruhen vendet e punës të mësuesve. Ne kemi kërkuar uljen e normës mësimore për disa kategori mësuesish. Kemi bërë edhe kërkesa të tjera të cilat bëjnë të mundur mbajtjen e mësuesve që janë në sistem. Sepse ky vit akademik nis me një numër të reduktuar të nxënësve. Edhe në Tiranë ku vijnë ende familje nga rrethet e tjera ka disa vite që mbyllen klasa. Arsyeja është shkalla e lartë e emigracionit.
Duhet buxhet më i madh për arsimin në mënyrë që nxënësit të jenë të interesuar për të vijuar studimet në Shqipëri.
Rënia e regjistrimeve në degët e mjekësisë lidhet me ligjin e studentëve të mjekësisë. Shumë kërkojnë të studiojnë jashtë shtetit për t’iu shmangur detyrimit të qëndrimit 3 vite në Shqipëri, por edhe për t’iu shmangur gjobës, që për familjet shqiptare nuk është e ulët.



