
Gazetari dhe analisti Aleksandër Çipa komentoi në MCN Live fjalimin e mbajtur dje nga kryeministri Edi Rama në Këshillin e Evropës, ku ai kërkoi rishikimin e raportit të Dick Marty-t.
Çipa thekson se Rama e shfrytëzoi maksimalisht politikisht këtë temë, dhe kuotat e tij në publik janë rritur.
Sipas analistit dy qëllimet e kryeministrit në fjalimin e mbajtur kanë qenë, i pari në rrafshin performativ dhe i dyti për një rikapitalizim politik në tregun e brendshëm.
Ka dy anë të medaljes, ana që na intereson bëhet fjalë për perimetrin kombëtar, diskutimin e brendshëm. Ana tjetër lidhet me perimetrin ndërkombëtar, në efektin që ka shkaktuar në një nga institucionet më të zëshme të Evropës. Rama riktheu në qendër të vëmendjes të institucionit të Këshillit të Evropës, një raport, që edhe Shqipëria e kishte votuar. Imazhi ndërkombëtarisht i shqiptarëve ishte goditur rëndë, sepse u bënë akuza që morën vlefshmërinë e një prove verbale, që ishte implikimi i ish-krerëve të UÇK në trafikun e organeve. Rama politikisht e shfrytëzoi maksimalisht. Po ta shohësh te efektet në rrjetet sociale dhe hapësirën virtuale, duket që kuotat e kryeministrit janë rritur.
Shenjat e para janë dhënë në pikëpamjen formale ku është refuzuar darka me kryeministrin. Po ashtu do kemi reagime nga entitete, apo vende të veçanta. Në planin e imazhit është kapur te një kazuz që meriton vlerësim, pavarësisht nga koha. Në planin logjik dhe së drejtës, mendoj se është qasje pozitive sepse risjell në vëmendje një rezolutë që Shqipëria e ka votuar edhe pse binte ndesh me interesin e saj. Në kushtet kur ka folur Gjykata Speciale e Hagës, ku nga akuza zyrtare është hequr çështja e ekzistencës së trafikut të organeve njerëzore...Ky proces është zhbërë nuk ekziston, me të drejta morale duhet të kthehet në vend. Shqipëria është në të drejtë madhore, gati natyrale. Në politikën e brendshme, ka pasur dy qasje, një nga spektri opozitar e konsideron abuzim, se Rama ka ikur nga një pretendim që është gjenocidi serb, por besoj që këtë nuk e ka bërë për shkak të interesave që ndan për ‘Open Balkan’ dhe konfidencialitetit që ndan me Vuçiç”.
Sa i përket ndasive që kanë Rama dhe Kurti mbi projektin “Open Balkan”, Çipa thotë se dy kryeministrat duhet ta zgjidhnin me kohë ngërçin dhe të pajtoheshin për një qëndrim të përbashkët.
Në pikëpamjen institucionale nuk shkakton ndonjë kosto, është një qëndrim politik i përfaqësuesve refuzues të Partive Popullore Evropiane. Nuk mund të ndanin të njëjtin këndëveshtrim me kryeministrin. Nëse ky refuzim do pasojë me qëndrime të tjera politike, natyrisht shkakton kosto. Nëse përfaqësuesit e Partive Popullore risjellin në qëndrime ftohtësi diplomatike, ku mund të ketë një deklaratë, ajo shkakton një impakt negativ, aq më tepër në kontesktin ku është sot Kosova, është në prag të liberalizimit të vizave, kërkon të aderojë në disa institucione..."
Z.Kurti me Ramën ndajnë pikëpamje të ndryshme mbi projektin e shumëdebatuar ‘Open Balkan’. Si kryeministri Rama dhe Kurti me kohë duhet ta zgjidhnin këtë ngërç, të pajtoheshin në një qëndrim. Sepse krijon jo vetëm precedentë, por edhe kosto reale për Kosovën. Është edhe elementi i protagonizmit politik që i dason dy kryeministrat shqiptarë lidhur me këtë projekt. Është një çështje që duhej të shihej si qëndrim strategjik, të trajtoheshin në mënyrë bilaterale, pajtueshmëritë dhe mospajtueshmëritë”.
I pyetur se sa i rëndë është refuzimi i darkës së punës me Ramën nga grupi i PPE, analisti thotë se nuk shkakton kosto në pikëpamje institucionale, pasi është qëndrim politik.
Çipa shton se:
Ka një lloj protagonizmi. Të paktën në vokacionin politik të z.Rama duket që versioni i politikbërjes në diplomaci ka qenë pse jo i suksesshëm, ose kreativ në atë fushë. Këtë si aspekt të protagonizmit të vetvetes me sa duke e shfrytëzon maksimalisht, duke shkaktuar zhvendosje të axhendës, vëmendshmërise dhe duke krijuar pse jo tema të një debati, të interesit politik të tij. E solli argumentin mjaftueshëm, e para iu rikthye faktit që s'mund të mbetet në fuqi një rezolutë që ka goditur dhe ndëshkuar imazhin ndërkombëtar të shqiptarëve. Së dyti për një implikim të Shqipërisë shtetërore në këtë akuzë ndërkombëtare. A ka qenë shterues, unë nuk e pretendoj këtë gjë. Nuk e përjashtoj mundësinë që përmes këtij protagonizmi ka mishëruar dy qëllime, e para performimin, dhe që ka rikapitalizuar imazhin e vet në sytë e shqiptarëve. Një rikapitalizim politik për tregun e brendshëm. Fakti që është në qendër të vëmendjes do të thotë që ia ka dalë”.
Në një koment të shkurtër për zgjedhjet e ardhshme vendore, Çipa tha:
Unë pres që këto zgjedhje, edhe pse janë zgjedhje vendore, të rikthejë një vlerë politike të munguar, pluralizmin politik, opozitarizmin, jo vetëm si zë verbal por edhe përfaqësim institucional. Strukturat e opozitarizmit mbeten ende të pa konsoliduara”.



